SHKODËR

Një tjetër incident në Shkodër. Persona të paidentifikuar kanë thyer derën e pallatit të Sportit në Shkodër, ku ka qenë e vendosur KZAZ nr.2, e cila më pas kaloi në shkollën profesionale “Arben Broci” dhe kanë marrë disa materiale zgjedhore që kishin mbetur ende pa u transferuar.

Sipas të dhënave të para autorët janë përplasur me policinë bashkiake. Nga dëshmitë mësohet se personat në fjalë kanë shtyrë policët dhe kanë shpërthyer derën me mjete të forta. Pasi kanë marrë materialet zgjedhore janë larguar me shpejtësi.

Nga ana tjetër burimet thanë se personat që kanë marrë këto materiale kanë qenë anëtarë të KZAZ që kanë shkuar për t’i marrë dhe transportuar në KZAZ në shkollën “Ndre Mjeda” por janë konfliktuar me policët bashkiakë dhe të rendit

Ky incident vjen një ditë pas dhunës e përleshjeve në KZAZ nr.6 në Bushat, të vendosur në shkollën “Ndre Mjeda”.
Mbrëmjen e 27 qershorit, persona që sipas policisë janë mbështetës të opozitës sulmuan me molotov e sende të forta KZAZ duke plagosur edhe 3 policë. Pas ngjarjeve, policia ka arrestuar 15 persona, mes tyre vëllai i kreut të bashkisë së Vaut të Dejës dhe nënkryetari i bashkisë. Ndërkohë kryeministri Edi Rama ka shkarkuar kreun e Bashkisë Zef Hila.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb