SHKODER- Pavarësisht aksionit ‘blic’ të “Crown Agent” dhe policisë së rendit dy ditë më parë, tregtaret e duhanit në tregun e lagjes “Rus” të Shkodrës sërish kanë dalë për të shitur prodhimin që e kultivojnë në tokën e tyre. Ndërsa një pjesë tjetër e tregtareve nuk e kanë ekspozuar duhanin në rrugë, pasi kanë frikën nga policia. Ata e kanë fshehur në një vend të caktuar dhe punojnë me porosi sipas kërkesave të klientëve.

Por ndryshe nga reaguar Nusha Agustini, një 75-vjeçare nga fshati Gur i Zi, zonë kjo e cila njihet për kultivimin e duhanit. Imazhi i saj bëri xhiron e mediave ndërkombëtare dhe rrjeteve sociale, pasi gjatë aksionit dy ditë më parë policia i sekuestroi 12 kile duhan e përkthyer në 150 mijë lekë të vjetra.
“Neës 24” ishte mëngjesin e ditës së premte në vendin e saj të punës. Kur e pyesim se çfarë po tregton nga sytë e së moshuarës derdhen lotët që nuk ndalen për disa sekonda.

Nga frika e policisë ka nxjerrë për të shitur vetëm disa perime dhe letra duhani, ndërsa mallin që e kultivon nga toka e saj, duhanin, e ka fshehur nga frika. Ajo rrëfen momentet kur punonjësit e policisë e kanë dhunuar dhe shtyrë për t’i sekuestruar duhanin, ndërsa nga ajo ditë ka pësuar traumë dhe qëndron me ilaçe me vete.

Nusha thotë se duhani është i vetmi burim të ardhurash me të cilin mban familjen prej 7 anëtarësh.
“Nuk kemi me se të jetojmë, ne duhanin e mbjellim vetë. Bëjnë luftë me një të moshuar, por unë prapë do të dal këtu, ata më morën të vetmin burim të ardhurash, po unë me se të jetoj. Me këtë punë merrem prej vitesh. Ata më morën 12 kg duhan që kushton 150 mijë lekë. Madje policia më sekuestroi duhan edhe sot”, rrëfen 75-vjeçarja.

Siç mësohet, edhe sot policia ka zhvilluar një tjetër aksion në tregun e lagjes “Rus” duke u sekuestruar 5 kuintalë duhan tregtarëve ambulantë, të cilët e cilësojnë këtë si një grabitje që po i behet nga shteti.

“Ne jemi të vendosur që mos të lëvizim nga këtu edhe pse na e kanë sekuestruar mallin”, thonë tregtarët.
(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb