SHKODER- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu flet pas analizës së Policisë së Shkodrës ku mori pjesë edhe vetë ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj.

Për Veliun gjatë vitit që lamë pas policia e Shkodrës ka përparuar si në luftën kundër kultivimit të kanabisit ashtu edhe në luftën nga grupeve të krimit.

“Gjatë vitit 2017 keni arritur rezultate të prekshme, qoftë sa i përket uljes së numrit të bimëve narkotike të kultivuara, gjithashtu edhe në goditjen e grupeve kriminale. Vendosëm prioritetet dhe objektivat për vitin 2018, që s’do t’i ketë vetëm drejtoria por edhe Policia e Shtetit. Goditje pa ndërprerje grupeve kriminale nga forca e ligjit, goditja që do i bëhet evidentimit të personave që kanë ushtruar aktivitet të kultivimit të bimëve narkotike si dhe minimizimin e sipërfaqeve të mbjella”,- u shpreh Veliu.

Më tej, Veliu tha se janë goditur dy grupe kriminale në Shkodër dhe se po punohet për të bërë më shumë në këtë drejtim.

“Këtu në Shkodër ka persona që ushtrojnë aktivitet kriminal por policia është duke i goditur. Deri më tani janë goditur dy grupe. Po punojmë çdo ditë, por duhet të dini se për të goditur një grup kriminal duhet edhe kohë edhe maturi edhe gjetja e provave”,- tha Veliu.

Kujtojmë se gjatë analizës ku mori pjesë ministri Xhafaj u prezantua edhe Drejtori i ri Vendor Vehbi Bushati.

PYETJET
Cili është fokusi kryesor?
Drejtori Veliu: Fokusi kryesor do të vazhdojë pa ndërprerje goditja e veprimtarisë së grupeve kriminale të evidentuara në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit”.
Prioriteti i dytë do të jetë lufta dhe goditja që do t’i bëhet evidentimit të numrit të personave, të cilët janë evidentuar gjatë viteve të kaluara si persona, të cilët kanë ushtruar aktivitetin e kultivimit të bimëve narkotike dhe minimizimin në maksimum të sipërfaqeve të mbjella me bimë narkotike dhe të numrit të bimëve narkotike.
Drejtor a rreshtohet edhe qarku Shkodër ndër më problematikët në Shqipëri ashtu si Elbasani, Durrësi apo edhe Fieri?
Drejtori Veliu: Jo, absolutisht jo. Perceptimi për mendimin tim është perceptim i gabuar edhe për faktin se ju jetoni vetë në qytetin e Shkodrës, e prekni gjendjen e rendit dhe të qetësisë dhe ju duhet të jeni pararoja e pasqyrimit të realitetit të gjendjes së rendit dhe sigurisë në Shkodër.
Në Shkodër kemi persona që ushtrojnë aktivitet kriminal, ashtu si Policia është duke i goditur dhe duke i ndëshkuar në bashkëpunim edhe me Prokurorinë e Rrethit këtë aktivitet.

Përmendja disa herë e tyre, a e ka favorizuar terrenin ndoshta që t’i shmangen Policisë? Meqenëse edhe gjatë vitit të kaluar Ministri Xhafaj ka deklaruar që janë dy apo të paktën tre grupe kriminale…
Drejtori Veliu: Unë ashtu siç thashë dhe pak më parë, nga Drejtoria Vendore janë goditur deri tani dy grupe kriminale.

Njëkohësisht është duke punuar çdo ditë për evidentimin edhe të grupeve të reja kriminale, ashtu siç është duke punuar edhe nën drejtimin e Prokurorisë për të ndëshkuar edhe pjesën tjetër të grupeve kriminale.
Dua të theksoj se për të goditur një grup kriminal kërkohet kohë, maturim, por edhe gjetja e provave për t’i çuar dosjet dhe gjithë materialet e nevojshme në gjykatë.

Përsa i përket Vettingut që Ministri Xhafaj e ka deklaruar meqënëse vitet e kaluara Shkodra ka qenë ndër qarqet problematike të kultivimit të bimëve narkotike dhe ka patur shumë pak zbulueshmëri të autorëve, a kanë qenë të përfshirë dhe të evidentuar edhe forca policore që mund të preken nga Vettingu në dijeninë tuaj?
Drejtori Veliu: Qëllimi i Vettingut në Polici është që struktura policore të jetë një strukturë me integritet.
Vettingu është i ndërtuar mbi tre boshte kryesore: mbi profesionalizimin, mbi integritetin dhe mbi pjesën e pasurive, duke vlerësuar edhe atë çka përfaqësojnë vetë punonjësit e Policisë.
Patjetër në Vetting do të kalojë gjithë struktura duke filluar nga unë deri tek punonjësi më i fundit.
Qëllimi është që punonjës, të cilët kanë qenë të implikuar apo punonjës të cilët kanë treguar shkallë të ulët profesionalizmi dhe përfshirje në aktivitete kriminale do të largohen nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit ka nevojë për punonjës policie me integritet, profesionistë dhe të sakrificës.

Z.Ministër ka lënë detyrë sot që toleranca do të jetë zero ndaj të gjithëve. Si do të arrihet?
Drejtori Veliu: Absolutisht që toleranca do të jetë zero. Kjo do të realziohet nëprmjet angazhimit dhe përgjegjësisë jo vetëm të strukturave Vendore të Policisë, por edhe në monitorimin dhe drejtimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb