Vllaznia është tashmë në garën e ethshme për t’u ngjitur në dy vendet e para. Luan 3 ndeshje radhazi në fushën e vet, duke nisur nga kjo e sotmja me Dinamon.
Statistikat e viteve të fundit në fakt nuk janë aspak në favor të “Nëndetëses” sa u përket përballjeve me kuqeblutë. Fitorja e fundit në elitën e futbollit shqiptar për Dinamon ndaj Vllaznisë daton para 14 vitesh, më 25.09.2010, ku ata fitonin në Shkodër me rezultatin e thellë, 0-4.
Që nga ajo periudhë Vllaznia ka marrë 10 fitore ndaj bluve dhe 3 ndeshje janë mbyllur në barazim. Gjatë këtyre viteve Dinamo ka edhe një fitore në 2019-ën, me rezultatin 2-0, por dueli është zhvilluar në Kategorinë e Parë. E po ashtu blutë kanë një sukses 1-0 në vitin 2011, në kuadër të kupës.
Kryeqytetasit e kanë thyer “akullin” në fazën e parë të këtij kampionati, kur i mposhtën kuqeblutë me përmbysje në shifrat 2-1. Ka një dominim kuqeblu përgjatë gjithë këtyre viteve dhe sot Vllaznia do të kërkojë ta vijojë këtë traditë.