SHKODËR

Kryetarja në detyrë e bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka treguar se nuk do lëshojë zyrën për Valdrin Pjetrin, i cili u zgjodh prej qytetarëve shkodranë  në zgjedhjet e 30 qershorit.


Në të njëjtën linjë me Ademin janë shprehur edhe një grup qytetarësh, të cilët me sa duket kanë nisur lëvizjet duke i kërkuar ambasadave në Tiranë për të ndaluar konstituimin e këshillit bashkiak.


“BalkanWeb” ka mundur të sigurojë letrën, që qytetarët shkodranë i kanë dërguar sot Ambasadës së SHBA, delegacionit të BE-së, ambasadës së Italisë dhe ambasadave të tjera. Përmes saj ata kërkojnë që ndërkombëtarët të pengojnë konstituimin e këshillit bashkiak dhe  betimin e Valdrin Pjetrit, deri në kohën kur Itali të kthejë një përgjigje për akuzat e ngritur në adresë të tij.


Kujtojmë se Partia Demokratike i është drejtuar disa ditë më parë Prokurorisë me një kërkesë, ku i kërkonte verifikimin e pastërtisë së figurës  së Valdrin Pjetrit.

Letra e plotë:

Me konsideratë të lartë, ne një grup përfaqësues i qytetarëve të Shkodrës Ju drejtohemi lidhur me situatën e pazakontë që po kalon qyteti ynë para dhe pas votimeve të 30 qershorit! Në një kohë kur pushteti dhe shteti në Shqipëri sot janë e njëjta gjë, kur institucionet e drejtësisë mungojnë, kur ata që duhej të përmbushnin garancitë e një procesi zgjedhor demokratik janë shndërruar në vegla politike, ne na vjen ndermend vargu i poetit kombëtar Naim Frasheri që thoshte “dielli për shqiptarët lind nga perëndon“!

E vetmja shpresë sot për shqiptarët e cfilitur, të vjedhur, të mashtruar, mbeten SHBA-të, dhe Europa demokratike! Qyteti ynë ka sakrifikuar shume në perpjekjet e tij kundër tiranisë ndoshta më shumë se çdo i ngjashëm i tij në Europën Lindore, me qindra martirë e dëshmorë të Lirisë, mijëra të internuar e të persekutuar!

Shkodra është simbol i rezistencës për demokraci në vitin 1944 si dhe në vitin 1990! Por edhe sot me gjasë, barra po i bie asaj për të mbrojtur shenjtërinë e votës së lirë dhe të demokracisë!

Me 30 qershor në Shkoder nuk pati zgjedhje por votime nga më të turpshmet e të paimagjinueshmet! Megjithatë kaq e madhe ishte diferenca ndërmjet vullnetit qytetar dhe rezultatit, saqë kandidati monist mori vetëm 6% të votave të njerëzve të administratës, te të joshurëve dhe të kërcënuarve!

Tashmë prej disa ditësh, krerët e Opozitës dhe mediat, kanë akuzuar zotin Valdrin Pjetri për mashtrim në deklarimet e tij lidhur formularin e dekriminalizimit të depozituar në KQZ si kandidat! Sipas këtyre akuzave, zoti Pjetri ka qenë i dënuar dhe i dëbuar nga organet e drejtësisë italiane! Ai nuk e ka përgënjeshtruar këtë akuzë në asnjë moment! Kryeministri po hesht siç ka bërë edhe më parë me të tjerë kryebashkiakë të tij, subjekte të ligjit të dekriminalizimit, duke i marrë në mbrojte politikisht! Ai ka hequr dorë prej tyre pas disa  vitesh, kur provat janë, konfirmuar totalisht dhe presioni publik ka qenë shumë i fortë!

Të nderuar ambasadorë,

Ne kërkojmë prej jush të ushtroni presion si mjeti i vetëm që funksionon mbi qeverinë e Edi Ramës, që një njeri i akuzuar për shkelje të rëndë të ligjit, i akuzuar për precedent kriminal, të mos kostituohet si kryetar i Bashkisë së Shkodrës me datë 15 gusht, kjo, derisa shteti italian të përgjigjet zyrtarisht për akuzat ndaj zotit Valdrin Pjetri! Kështu ndihmojmë edhe vetë zotin Pjetri sot, për të mos e shpallur “non grata” në Bashkinë e Shkodrës nesër.

Pezullimi i këtij kostituimi, është më i lehtë dhe demokratik se sa njolla e rëndë që mund ti vihet qytetit antikomunist, nëse zoti Valdrin Pjetri konfirmohet si shkelës e dhunues i ligjit e gënjeshtar nga pikëpamja e etikës civile! Mbetemi me shpresë që kërkesa jonë do të merret në konsideratë.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

(n.m/BalkanWeb)