TIRANË

Janë zbuluar detaje të reja nga vrasja e trefishtë në Tiranë, ku dhëndri qëlloi për vdekje vjehrrin dhe vjehrrën dhe më pas qëlloi edhe veten.



Gazetarja e “BalkanWeb”, Dorjana Bezat raporton se ata fillimisht kanë debatuar dhe më pas dhëndri ka qëlluar në drejtim të tyre duke i lënë të vdekur në vend. Pasi është larguar nga banesa e tyre dhëndri ka qëlluar edhe mbi veten dhe rrugës për në Spitalin e Traumës ka ndërruar jetë.


Sipas të dhënave të para thuhet se dhëndri kishte shkuar në shtëpinë  e vjehrrit dhe të vjehrrës për të sqaruar një konflikt, por situata më pas precipitoi në konflikt me armë.

Viktima të kësaj ngjarje të rëndë mbetën Bujar Mata, 63 vjeç, Valentina Mata, 52, dhe dhëndri Majlind Lila, ndërsa ky i fundit mësohet se prej një viti bashkëjetonte me vajzën e çiftit, por nuk kishte një martesë ligjore. Në momentin e krimit vajza e çiftit të vrarë nuk ishte në shtëpinë e prindërve.


“Mes tyre ka patur keqkuptime. Dhëndri ka ardhur pranë familjes së vjehrrit dhe fillimisht janë debatuar dhe më pas ka qëlluar me armë në drejtim të tyre. Dhëndri ka qëlluar mbi veten jashtë banesës. Trupat e vjehrrit dhe të vjehrrës nuk janë tërhequr ende.

Edhe për vetë policinë ka qenë i vështirë hetimi mbi rrethanat. Fqinjët kanë dëgjuar vetëm zhurmat. Nevila sipas tyre ka kohë që bashkëjetonte me Majlindin, por nuk dinin nëse ka patur konflikte mes tyre.

Ajo ende nuk është marrë në mbrojtje. Momentalisht nuk është shoqëruar. Çifti bashkëjetonte. Ata nuk kanë një martesë ligjore dhe nuk kanë bërë celebrim. Ata kishin më pak se një vit që bashkëjetonin.  Nevila nuk ka qenë në shtëpi”, raportoi gazetarja, Dorjana Bezat.

(n.m/BalkanWeb)