TIRANE

Ky fillim viti shkollor ishte i veçantë për 700 nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Avni Rustemi” në Njësinë 10. Falë ndërtimit të saj nga Bashkia e Tiranës, mësuesit dhe nxënësit gëzojnë një ambient tërësisht të ri dhe modern. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga Zv. Ministrja e Arsimit, Nina Guga dhe deputeti i PS, Fatmir Xhafaj, uruan në ditën e parë të shkollës nxënësit dhe mësuesit për një vit të suksesshëm dhe sa më të mbarë. Veliaj tha se investimi në shkolla, kopshte dhe çerdhe është prioritet sepse një mjedis i mirë dhe modern ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e mësimdhënies dhe në motivimin e nxënësve.

“Edhe pse unë e besoj fort se mësuesit janë thelbi, kur vjen në një mjedis të mirë, të pastër, të ndriçuar, me kushte moderne, sigurisht që puna e mësuesit bëhet më e lehtë, por edhe nxënësit vijnë me më shumë kënaqësi në shkollë. Këtë javë do të hapim një seri shkollash të reja, si “Musine Kokalari”, e cila u ribë nga e para pas tërmetit, duke iu shtuar një buqete të madhe shkollash në Kombinat, bashkë me “Betim Muçon” dhe “Lasgush Poradecin”. Do të hapim edhe “Xhezmi Dellin” në zemër të Tiranës së vjetër. Ashtu si “Avni Rustemi”, edhe ajo shkollë ka dalë një bizhu”, tha ai.

Veliaj u shpreh se në total numri i shkollave të reja në Tiranë shkon në 45, ndërsa siguroi se puna do të vijojë pa u ndalur, për të përfunduar edhe ato që janë në proces. “Përveç 5 shkollave të reja që hapim këtë vit, shkojmë në 45 shkolla në total. Janë ndërtuar më shumë shkolla që nga koha e Pavarësisë, që nga koha e shpalljes së Tiranës Kryeqytet. Do vazhdojmë me këtë mision! Shumë shpejt do nisim ndërtimin e shkollave të reja te Unaza e Madhe, te lagjja ‘Rilindja’, te Liqeni i Thatë, te Parku Olimpik dhe në Sauk. Kjo buqetë e re, me 10 shkolla për vitin tjetër, praktikisht do ta mbajë ritmin e rritjes së Tiranës. Jo vetëm ritmin me të cilin është rritur vitet e fundit, por edhe me atë që ne presim në vitet në vazhdim”, deklaroi Veliaj.

Veliaj deklaroi se ia vlen çdo betejë për të çuar përpara investimet dhe projektet e reja për Tiranën. “Nëse nuk funksionojmë si një familje për të dhënë dashuri dhe për ta mbështetur këtë mision, atëherë nuk funksionon. Kjo është arsyeja pse për të disatin vit i dërgoj çdo nxënësi personalisht një letër, për t’iu thënë se për mua ata janë më të rëndësishmit. Nuk janë as politikanët, as analistët, as ata që japin komente nga divani. Aleancën kryesore e kam me çunat dhe gocat e këtij qyteti sepse besoj se gjeneratat e ardhshme janë më të rëndësishme se zgjedhjet e ardhshme. Zgjedhjet shkojnë e vijnë, gjenerata është vetëm një herë. Nëse ata dalin me 10-ta ia vlen çdo betejë, nëse ju merreni me sport, nëse ju krijoni skuadër, nëse ju jeni qytetarë të denjë dhe të rëndësishëm dhe pasionantë të qytetit tonë. Ju dua fort, jam fansi juaj më i madh”, theksoi Veliaj.

Ai u shprehu mirënjohjen prindërve për bashkëpunimin, në këtë fillim viti shkollor, për të mos përdorur automjetet. “Sot kam një falenderim të veçantë për të gjithë prindërit e mbi 200 mijë fëmijëve që kanë vajtur në shkollë. Në mënyrë domethënëse i janë përgjigjur këshillës sonë për të mos e përdorur makinën sot. Mund të them që kemi pasur shtatorin më pa stres, më pa dramë, më pa trafik që mund të kemi pasur në 9 vitet e mia si kryetar bashkie. 200 mijë fëmijë vijnë – në të gjitha nivelet, çerdhe, kopshte, shkolla në Tiranë – me një besim. Tirana ka 400 institucione, kështu që sot kemi hapur 400 vepra të tilla”, u shpreh Veliaj.

Kreu i Bashkisë u bëri thirrje prindërve që të regjistrojnë fëmijët e tyre në ekipet sportive. “Ne jemi lidhur me 78 shoqata sportive, të cilat marrin në dorëzim terrenet sportive pas mësimit, sidomos në këtë shkollë, ku edhe ajri vjen era basketboll. Dua t’i inkurajoj të gjithë prindërit për t’u regjistruar. Jo të gjithë do marrin medalje olimpike, asnjë s’e vë këtë në dyshim, ndoshta disa po, por jo të gjithë. Por, të gjithë do mësojnë çfarë është loja në skuadër, çfarë është fitorja, çfarë është humbja. Në jetë ka fitore, ka edhe humbje dhe loja në ekip, puna në skuadër, është ndoshta formimi i karakterit që është më i rëndësishëm se formimi i muskujve në aktivitete sportive. Kush është marrë me sport bëhet edhe qytetar i mirë, bëhet edhe arkitekt i mirë, edhe politikan i mirë”, deklaroi Veliaj.

Shkolla “Avni Rustemi” ka edhe 2 klasa parashkollore, ndërkohë që në total studiojnë rreth 700 nxënës. Ajo është e pajisur me laboratorë dhe 25 klasa mësimore.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: