DURRËS- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme tek “Shkëmbi i Kavajës” në qytetin e Durrësit. Mësohet se një 65-vjeçar është rrëzuar aksidentalisht nga kati i shtatë i pallatit rreth orës 13:00 dhe si pasojë ka gjetur vdekjen e mënjëhershme. BalkanWeb ka mësuar se viktima është Vladimir Hysi, i cili ka mbajtur postin e Ministrit të Rendit Publik nga 18 dhjetori i vitit 1991 deri në 13 prill të vitit 1992.

Sipas njoftimit të policisë, ish-ministri i rendit ndodhej në banesën e motrës së tij dhe kishte hipur me shkallë në ballkon për të prerë degët e pemëve dekorative të mbjella mbi vazo.

Fatkeqësisht ai nuk ka mundur të mbajë ekuilibrin dhe është rrëzuar 7 kate më poshtë duke humbur jetën në mënyrë tragjike. Policia paraprakisht deklaron se vdekja është aksidentale, gjithsesi po punon për zbardhjen e plotë të saj.

Vladimir Hysi është arrestuar më 5 mars 1996 me akuzën e krimeve kundër njerëzimit, shpërdorim detyre dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Ai u dënua me 1.5 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë dhe Gjykata e Apelit ndërsa Gjykata e Kasacionit atëherë i hodhi poshtë akuzat duke e shpallur të pafajshëm.

(e.f/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb