TIRANË

Një shqiptare që jeton në Suedi ka marrë guximin të denoncojë dhunën mbi një vajzë të mitur në një fshat në qarkun e Beratit. Gruaja Maria Shameti Lewin ka sjellë në emisionin “Me zemër të hapur” në News24, rastin e 14-vjeçares me iniciale K.T. e cila jeton vetëm me babain e saj të moshuar, 68-vjeçar pasi nëna i ka vdekur duke e lënë foshnjë.


Zonja Maria tha se u njoh me vajzën kur ndodhej në fshatin e saj si turiste.


“E njohëm në datën 10 shtator 2019 ku ne ishim për vizitë në fshatin e saj. Unë kam 28 vite që jetoj në Suedi. Aty u ndesha me atë vajzë, e cila nuk do më hiqet kurrë nga mëndja. Ajo është 14 vjeç me banim në një fshat në qarkun e Beratit. K.T. jeton me babain e saj 68 vjeç i cili është i sëmurë. Nëna i ka vdekur kur vajza ishte 1 vjeç.

Ata jetojnë në një dhomë të pabanueshme. Shqetësimi jonë nuk është për gjendjen ekonomike të vajzës, por shqetësimi jonë është se vajza torturohet në mënyrë fizike dhe psiqike nga babai i saj. Vetëm 14 vjeç kujdeset për babain e saj që nga larje intime dhe të tjerat.


Unë dhe bashkëshorti im pamë një fëmijë, sytë e saj tregonin që ajo kërkonte ndihmë. I thashë që unë do të ndihmoj ty, ti nuk do jetosh këtu, në këtë dhunë. Doja vetëm ta ndihmoja. Unë e pashë që psiqikisht vritej në të gjitha mënyrat. Ajo rrihej, nuk u futa shumë në detaje, sepse nuk doja ta dëmtoja, nuk di si ta përshkruaj, por ajo vërtet është në mjerim. Psiqikisht vritet, ‘sikur është faji i saj që ajo ka ardhur në jetë’. Ajo mezi më tregoi që rrihej. E pyeta si e rrihnin, dhe më tha që më qëllojnë me shkop në çdo vend. Më tha se e rrihte më shumë babai, ajo na la një shenjë, unë i premtova që do e ndihmoja. Unë besoj se shteti shqiptar, do bëj diçka”, tha Maria Shameti Lewin.

Gruaja tregoi se kishte hyrë në bisedë me vajzën dhe kishte mësuar peripecitë e saj. “Ajo vuante, ne e kuptuam ishte e qartë. Unë hyra në bisedë me të. Ajo më foli për veten dhe jetën e saj. Kam punuar 17 vjet në Entin e Emigracionit, edhe im shoq ka punuar me fëmijë që kanë qenë me trauma nga lufta, por si ajo vajzë nuk kishim rastisur. Unë nuk do dorëzohem kurrë që ajo vajzë të jetojë si gjithë fëmijët e tjerë. Ne nuk folëm me babain e saj sepse nuk mund të flasësh me një njeri që është i sëmurë. Vajza 14-vjeçare kujdesej për të 24 orë. Ajo bënte gjithçka pasi ai ishte i sëmurë edhe ujin ja shërbente ajo. E pyeta vajzën  nëse kishte frikë se mos e vriste, dhe më tha se ndonjëherë po. Pra, ai është i sëmurë psiqikisht.

Fqinjët që ishin afër vajzës silleshin shumë keq. Vajza ishte e vetme, ajo vetëm shahej dhe ofendohej. Ai thoshte ‘kjo ‘spunon tokën, kjo është e pistë’. Pyeta për të ëmën dhe më thanë se kish vdekur me tumor dhe e kishte lënë vajzën sa kish nisur të ecte. Mora vesh që kishte një motër, por nuk e di sa vite kishte që motra e kish lënë vajzën dhe ishte martuar”, tha denoncuesja.

Pas interesimit për rastin në fjalë, emisioni “Me Zemër të Hapur” mori një përgjigje zyrtare nga Drejtoria e Shërbimit Social, Berat. Në shkresë pranohet që njihet si problematikë por pas inspektimeve të bëra vajza është pyetur dhe nuk ka pranuar se dhunohet.

Në një lidhje telefonike kryeplaku i fshatit Asqeri Tare, deklaroi se babai i vajzës  është ekonomikisht shumë i varfër dhe është i verbër por se nuk është i dhunshëm, duke dhënë edhe garanci për këtë gjë.

“Zotëria nuk e ka dhunuar vajzën. Unë shkova tek shtëpia  së bashku me disa punonjës të bashkisë. Morëm një deklaratë nga babai dhe vajza dhe xhaxhallarët, të cilët thonë se nuk ka dhunë. Ai ka pasur dhe tre fëmijë të tjerë të cilët janë martuar dhe vetëm këtë vajzë ka që i bën hyzmet. Këtë zonjën babai i vajzës e ka vajzën e tezes”, tha kryeplaku i fshatit.

Nga ana tjetër gruaja që denoncoi tha se vajza është e dhunuar por se nuk mund të flasë për shkak të frikës, duke apeluar për ndihmë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb