TIRANE-Me ndryshimet e reja Kushtetuese, të cilat kanë hyrë në fuqi, detajohen edhe institucionet e reja që do të krijohen si dhe nga kush do të kontrollohen. Pikëpyetjet më të mëdha të ekspertëve kanë qenë për ekzistencën e Gjykatës dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, duke sjellë një pështjellim në radhët e njerëzve të drejtësisë. Këto institucione hetojnë dhe gjykojnë krimet e rënda, si bandat e armatosura, grupet kriminale, vrasjet e kryera nga këto grupe, trafiqe të ndryshme etj.

Tashmë, kur kanë kaluar disa javë nga hyrja në fuqi, gjyqtarët e prokurorët që janë në këto struktura, janë “në ajër”. Do të vazhdojnë apo jo të jenë pjesë e këtyre strukturave? Nëse po, si, dhe nëse jo, ku do të shkojnë? Problemi personal i gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të jetë më i vogli, pasi një ngërç të madh pritet të ndodhë me hetimin dhe gjykimin e veprave penale.

Nëse rezulton se këto struktura shtrihen, atëherë do të “amnistohen” qindra të hetuar apo të dënuar. Por, për këtë problem mund të zgjidhet ngërçi, ndërsa gjatë kësaj kohë, kur po lulëzon kanabisi në vend dhe ka një shtim të kriminalitetit për trafikimin e kësaj lënde narkotike, Prokuroria e Krimeve të Rënda duket se i ka “duart e lidhura”. Themi kështu pasi këta prokurorë nuk e dinë se çfarë do të ndodh në shtator dhe më pas, dhe, në këto kushte, rezultati duket gjatë punës.

Kjo situatë duket se ka “favorizuar” edhe mbjelljen apo trafikimin e lëndëve narkotike. Kohët e fundit ka pasur akuza se disa drejtues policie po favorizojnë ata që mbjellin hashash. Madje ka edhe një raport të autoriteteve të drejtësisë italiane dhe gjermane, me një hartë se ku mbillet, apo edhe me emra policësh apo deputetësh, pavarësisht se policia e mohoi. Po kush do ti hetojë këta drejtues? Akuza qendrore thotë se ka marrë në dorë një raport nga SHISH, ndërsa po konsultohet edhe me ekspertë, nëse dosja do të dërgohet apo jo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Nga ana tjetër, edhe nëse çështja do të hetohet, grupi hetimor do të ndihen nën “presion” për të verifikuar drejtues policie apo deputetë, duke qenë se reforma në drejtësi po kryhet pikërisht në këto kohë dhe rrezikojnë vendin e punës.

Shtyrja e miratimit të ndryshime Kushtetuese për reformës në drejtësi, apo bërja e ligjeve me vonesë, ka favorizuar dukshëm grupet kriminale, të cilat lulëzojnë të qeta: askush nuk po i heton!

(d.b/Shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb