TIRANË- Publicisti Kastriot Myftaraj është shoqëruar mbrëmjen e kaluar nga njësia antiterror në komisariatin Nr.1 në kryeqytet pas një shkrimi kundër ambasadores së BE-së në Tiranë Romana Vlahutin. Ndërkohë burime konfidenciale bëjnë me dije për “BalkanWeb” se Myftaraj është arrestuar me akuzën për “Thirrje publike për veprime të dhunshme” të parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal. Ky nen parashikon që ‘Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet’.

Mësohet se Myftaraj do qëndrojë në paraburgim deri në vendimin e gjykatës për masën e sigurisë ku do të vendoset nëse do të hetohet i lirë apo në burg.

Në shkrimin e publikuar dje në faqen e tij në “Facebook”, Myftaraj që njihet për shkrimet e tij konspirative shkruante se znj.Vlahutin është pjesë e tezës për Jugosllavinë e Re dhe ndër të tjera thoshte se “çdo shqiptar që do atdheun e vet mund ta vrasë Romanën dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist”. Kjo gjë ka sjelle edhe ndalimin e tij.

Njoftimi i policise
Ne date 09.05.2017 Strukturat pergjegjese ne Policinë e Shtetit ne bashkepunim me Prokurorine prane Gjykates se Rrethit gjyqesor Tirane arrestuan shtetasin Kastriot Myftaraj, 51 vjeç banues në Tiranë, me profesion gazetar e jurist.

Myftaraj ka botuar në media një shkrim ku ben thirrje te hapura per te kryer vepra te dhunshme kunder rendit kushtetues.

Ai akuzohet per thirrje publike per veprime te dhunshme, mbi bazen e nenit 223 te Kodit Penal “Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.
(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb