KUKËS- Shkrimtari dhe publicisti i njohur Agim Doçi, ka qenë një nga protestuesit e sotëm kundër taksës së “Rrugës së Kombit”. Ai ka folur në një lidhje telefonike për News24 ku ka deklaruar se ka qenë policia ajo që i ka provokuar protestuesit që janë ndier të fyer por edhe një deklaratë e kryeministrit e bërë pak kohë më parë.

“Erdha enkas për të marrë pjesë në këtë protestë, ku kërkohet të respektohet tarifa por jo aq e lartë për tre zona, Kukësin, Hasin dhe Tropojën. Taksa duhet vënë por duhen parë tarifat që janë vënë në mënyrë të habitshme. Mua nuk më pëlqeu që tre këshillat bashkiakë, të Kukësit, Hasit e Tropojës, që kishin marrë leje për protestën nuk erdhën të bisedonin me përfaqësuesit të Drejtorisë së Rrugëve. Të bënin bisedime për këto punë dhe të mos kalonte protesta në dhunë të padëshirueshme. Protestuesit u provokuan nga policia. Provokimi nisi se nxorën forca me helmeta, që rrinin pranë kabinave ku paguhet taksa. 43 policë bënë një kordon që të mos lejonin njerëz të vinin, kur kërkonin përfaqësuesit për bisedime. Lindi nga provokacioni. Unë kam qenë 8 vite banor i Kukësit dhe banorët e Kukësit, janë shumë fisnikë por edhe të vuajtur. Është taksë e lartë dhe kryeministri Rama i ka provokuar në një mbledhje, duke thënë se ata nuk çohen malokët”, tha Doçi.

Lidhur me dyshimet se dhuna ka qenë e paramenduar pasi i është vënë flaka sporteleve, ai tha se protestuesit kanë marrë naftë e benzinë nga makinat.

“Ata kanë marrë gurë anës rrugës dhe kanë qëlluar. Kanë ardhur 120 metra larg kabinave me makinë dhe makinat kanë naftë e benzinë”, tha Doçi.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb