Alket Veliu, president i Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, ka bërë një deklaratë të fortë pas ndalimit të shkrimtarit Arben Kondi nga policia greke në kufirin me Shqipërinë.

Veliu ka theksuar se ndalimi i Kondit, për të cilin autoritetet greke thanë se kishte mungesë dokumentesh, është një manifestim i politikave të Greqisë për të penguar çamët që të vizitojnë vendet e tyre të origjinës.

Në një intervistë për News24, Veliu theksoi se ky ndalim nuk është një rast i izoluar, por një pjesë e një tendence më të gjerë për të mbajtur çamët larg shtëpive të tyre. Ai shprehu shqetësim për vështirësitë që përballen shqiptarët e Çamërisë në përpjekjet e tyre për të vizituar vendet e të parëve të tyre, duke theksuar se ky është një problem që po bëhet gjithnjë e më i dukshëm.

“Mungesa e dokumenteve që po përmenden nga autoritetet greke është një justifikim i paqartë dhe i papranueshëm, pasi nuk është specifikuar cilat dokumente mungojnë”, u shpreh ai.

Veliu gjithashtu kritikoi heshtjen e institucioneve shqiptare, duke kërkuar një reagim të fortë për të mbrojtur të drejtat e çamëve. Ai paralajmëroi se nëse Shqipëria vazhdon të heshtë, ngjarje të ngjashme si ajo që i ndodhi Kondit mund të ndodhin përsëri në të ardhmen.

“Ky nuk është rast i shkëputur. Sot është shumë e vështirë që një shqiptar i Çamërisë të shkojë të vizitojë shtëpinë ku ka lindur. Çamët e kanë vështirë të shohin vendin e të parëve. Më vjen keq për heshtjen e institucioneve shqiptare, kjo është axhendë e Greqisë. Ne presim që shteti shqiptar të zgjohet për çështjen çame. Nëse do të heshtim, raste si ai që i ka ndodhur Arbenit do kemi dhe në të ardhmen. Cila është ai dokument që e ka kërkuar Greqia dhe nuk e ka Arbeni? Duket justifikim më tepër, sepse nuk tregohet cili dokument mungon”, u shpreh ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb