“Miskonja”, “Besniku”, “Tregu i Patozit”, “Pema”, “Prurësja”, “Kastriot”, “Nipka”, “Salva”… pseudonime nga më të çuditshmet u viheshin asokohe agjentëve të Sigurimit të Shtetit. Ndoshta, emrat kishin lidhje me karakterin apo edhe profesionin e agjentit. Studiuesi Kastriot Dervishi zbulon disa nga pseudonimet që ndiqnin personalitete si Mysine Kokalari, Liri Gega, Bedri Spahiu, Dom Shtjefën Kurti etj.


Përmes një shkrimi në revistën shkencore periodike “Dritëhije”, botim i Muzeut të Përgjimeve të Sigurimit të Shtetit, “Shtëpia me gjethe”, që nxori numrin e parë në përvjetorin e hapjes së këtij muzeu, Dervishi na tregon edhe mekanizmin si niste ndjekja e një individi apo një grupi individësh. Sipas Dervishit, “regjimi komunist prodhoi rreth 14 mijë procese gjyqësore për çështje politike, të cilat kishin si pikënisje në rreth gjysmën e tyre në dosjet formulare të Sigurimit të Shtetit.


Pjesa tjetër përbëhej nga denoncimet e ardhura në rrugë të tjera ose nga arrestimet në flagrancë, me të cilat merrej sërish hetuesia si degë e Sigurimit. Dosjet hetimore-gjyqësore (rreth 14 mijë) u takojnë rreth 25 mijë vetave të dënuar”. Ai sjell edhe disa shembuj ndjekjesh, vitet dhe agjentët që i përgjonin.


KASTRIOT DERVISHI
SHNDËRRIMI I PROCESIT AGJENTURIALOOPERATIV NË HETIMOR-GJYQËSOR

Regjimi komunist prodhoi rreth 14 mijë procese gjyqësore për çështje politike, të cilat kishin si pikënisje në rreth gjysmën e tyre në dosjet formulare të Sigurimit të Shtetit. Pjesa tjetër përbëhej nga denoncimet të ardhura në rrugë të tjera ose nga arrestimet në flagrancë, me të cilat merrej sërish hetuesia si degë e Sigurimit. Dosjet hetimore-gjyqësore (rreth 14 mijë) u takojnë rreth 25 mijë vetave të dënuar.

Në vitet e para të pasluftës, akuzat kryesore mbi kundërshtarët e regjimit ishin ato për “kolaboracionizëm”, “mospagimit të tatimit të jashtëzakonshëm”, “tradhtisë ndaj atdheut”, “pjesëmarrjes në organizata kudër pushtetit popullor” etj. proceset politike fillonin me punën operative të Sigurimit, hetimin e çështjes, vazhdonin me krijimin e dokumentacionit të nevojshëm për të përligjur atë që do të vendosej në sallën e gjyqit. Provat sajoheshin edhe gjatë procesit, ndërsa tortura ishte mjet i zakonshëm i procedimit hetimor.

“Teknika” e dënimit u “përmirësua” për keq, vit pas viti. Hetuesia, që ishte pjesa më e egër e procesit, synonte me anë të dhunës të bënte të pandehurit të pranonin të gjitha ato që ishin bërë gati nga vetë hetuesit. Parimi koçixoxist se arrestimet duheshin bërë menjëherë dhe provat të gjendeshin më vonë, nuk u harrua kurrë. Veprimtaria e organeve të Sigurimit të Shtetit dhe ajo e sistemit të drejtësisë, hetuesi-prokurori-gjykata, ngatërrohet, nuk është plotësisht e qartë për shoqërinë tonë. Ka hamendje sikur çdo material që vinte nga Sigurimi shkonte në Gjykatë dhe aty mund të shiheshin punëtorët operativë të Sigurimit dhe bashkëpunëtorët e tyre. Kalimi nga procesi i fshehtë agjenturialo-operativ në procesin ligjor e publik është objekt i këtij shkrimi. Thënë ndryshe, tjetër dosje është ajo agjenturialeoperative (ndjekja e fshehtë) dhe tjetër dosje ajo hetimore-gjyqësore (ndjekja ligjore).

Konceptet për të pasur lehtësi kuptimi -proces agjenturialo-operativ quhet ndjekja e fshehtë e një ose disa personave nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit. “Organet e Sigurimit të Shtetit” quhen drejtoritë e tij në varësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme. -Proces hetimor-gjyqësor quhet tërësia e masave ligjore si arrestimi, hetimi dhe dënimi i personit. Procesi agjenturialo-operativ, bazueshmëria, drejtimet Organet e Sigurimit të Shtetit, si polici politike, apo punonjës më të specializuar të luftës nga kundërshtarët politikë, udhëhiqeshin në punën e tyre nga platforma e organeve të Punëve të Brendshme. Në këtë platformë, ata kishin detyrat e tyre, rrjetin sekret dhe personat që përpunonin.

Këtu kemi një sërë shkeljesh të ligjeve si Kushtetuta apo liritë e qytetarëve, sepse platforma në fjalë është në shkelje të hapur të tyre. Kategoria e përcaktuar e atij që quhej “armik i popullit” ishte përcaktuar në bazë të origjinës së tij, të ardhur nga “shtresat e deklasuara”, ndërsa për raste të tjera organet udhëhiqeshin nga figurat e krimit, të përcaktuara në Kodin Penal, si agjitacioni e propaganda, kalimi i paligjshëm i kufirit, tradhtia ndaj atdheut, spiunazhi, diversioni, formimi i organizatave e partive të tjera etj. në të gjitha këto raste, punëtori operativ hapte dosjen agjenturiale operative, kryesisht të llojeve (më kryesoret): -Përpunimi aktiv 2A -Kontroll operativ 2B -Problem i centralizuar agjenturor (mbi një person) Në mënyrë të fshehtë, një ose disa persona ndiqeshin për muaj apo vite, sipas rëndësisë.

Ndjekjen e ndiqte një punëtor operativ, kontrollohej nga zëvendëskryetari ose kryetari i degës së Punëve të Brendshme të rrethit përkatës, si dhe nga dega përkatëse në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit në MPB. Ndjekja parashikonte raportimet e bashkëpunëtorëve për ato që shprehte i ndjekuri, kishte zbardhjen e bisedave të përgjuara të tij, si dhe planet e masave që merrte punëtori operativ me miratimin e eprorëve të tij. Kur ndërpritej procesi agjenturoro-operativ? Procesi agjenturoro-operativ ndërpritej me vendim nga punëtori operativ me miratimin e eprorëve në rastet kur i ndjekuri: -vdiste -nuk ushtronte veprimtari armiqësore ose ishte i paaftë mendërisht -kur rekrutohej nga Sigurimi -vendosej të dënohej me burgim

NË GJYKATË, ASNJË MATERIAL SIGURIMI
Materialet kryesore të përfituara nga aktiviteti i Sigurimit të Shtetit ishin raportet agjenturore të shkruara dhe teknika operative me përgjim. Përgjimet vendoseshin në dosjet e personit që ndiqej në një ekzemplar të vetëm. Karakteristikë është se asnjë material i këtij lloji nuk është përdorur në proceset hetimore-gjyqësore, të cilat mbështeteshin vetëm në dëshmitarë në formulimin e provës. Kjo do të thotë se Sigurimi i Shtetit asnjëherë nuk sillte prova në gjykata.

PËRJASHTIMI I PËRMENDJES SË UDHËHEQJES SË LARTË
Ndërsa në dosjet formulare fjalët e objektit të ndjekur kundër partisë dhe udhëheqjes shkruhen të plota, kur ai dënohet, sidomos kur shan Enver Hoxhën, emri i tij nuk përmendet drejtpërdrejt. Thuhej në format “udhëheqësi i partisë” dhe pas vdekjes “themeluesi i partisë”. Informacionet rreth tyre ishin të rezervuara.

PROCESI HETIMOR-GJYQËSOR
Kur vendosej që objekti në ndjekje duhet të dënohej me burgim, kemi fillimin e procesit hetimor-gjyqësor. Kjo është fija e padukshme, e cila është “fija e kashtës” nëpër dokumente zyrtare dhe vetëm specialistë të fushës mund të dallojnë. Fillon kështu procesi legal. Pas marrjes së vendimit, punëtori operativ takohet me hetuesin që mbulon territorin ku banon i planifikuari për t’u arrestuar e dënuar. Punëtori operativ i jep hetuesit elementët kryesorë të veprës penale, mbi të cilat duhet të bazojë akuzën e tij, duke pasur parasysh se asnjë bashkëpunëtor i Sigurimit, si dhe asnjë material operativ (përgjime) nuk do të dalë në gjykatë (në raste shumë të rralla bashkëpunëtori digjej, duke dalë dëshmitar).

Mbi bazën e këtyre të dhënave, hetuesi cakton dëshmitarët që duhet të gjejë për të mbështetur akuzat. Këta dalin njerëz të zakonshëm, p.sh., që kanë qenë në stadium me kandidatin për të pandehur apo të pranishëm kur ai ka folur kundër pushtetit. Pasi hetuesi siguron dëshmitarët, fillon zbatimi i Kodit të Procedurave Penale, bazuar mbi nenet e Kodit Penal.

Hetuesi bënte gati arrestimin, i cili miratohej nga prokurori. Hetuesi zhvillonte hetuesinë e në përfundim dilte me një aktakuzë, e cila miratohej sërish nga prokurori. Në gjykatë, hetuesi nuk paraqitej më. Prokurori i çështjes, në bazë të aktakuzës, përpilonte pretencën.

Në fund, gjykata jepte vendimin, i cili ishte me formë të prerë nga Gjykata e Lartë. Në rastet e dënimeve me vdekje, pas dekretit të Presidiumit të Kuvendit Popullor për mosfaljen e jetës, paraqiteshin në vendin e pushkatimit, prokurori, hetuesi, mjeku, si dhe shërbimi policor që merrej me ruajtjen e vendit, hapjen e gropës, varrosjen etj.

SHEMBUJ NGA DISA PROCESE
-Musine Kokalari ndiqej në vitin 1945 nga agjentja “Shkrimtarja”. Duke qenë shumë e afërt me Musinene, ajo ishte raportuesja kryesore kundër saj. Ajo nuk doli në Gjykatë, ndërsa Musineja u dënua si pjesë e një grupi të madh. -Mykerem Janina ndiqej prej vitit 1952. Në arrestimin e dytë, atij iu morën plot incizime nga bashkëpunëtori “Semani”, ndër të tjera edhe plot fjalë kundër Enver Hoxhës.

Kur u dënua në vitin 1978, në gjyq nuk u përmendën as fjalët kundër diktatorit e sigurisht, nuk doli as “Semani”. -Liri Gega ndiqej në vitet 1951-1956 nga organet e Sigurimit. Raportonin disa bashkëpunëtorë si “Miskonja”, “Besniku”, “Tregu i Patozit”, “Pema”, “Prurësja”, “Kastriot”, “Nipka”, “Salva”, “Shqiponja”, “Tomorri” dhe sidomos “Vullneti”. Asnjeri prej tyre nuk doli në gjyq në vitin 1956, kur ajo u dënua me vdekje. -Bedri Spahiu ndiqej në vitet 1955-1958 nga bashkëpunëtorët “Hekuri i bardhë”, “Dardha”, “Alberti”, “Pylli”, Letërsia”, “Edukatorja”, “Ora e lirë” dhe në fund nga “Dara”.

Asnjëri prej tyre nuk doli në gjykatë kur ai u dënua në vitin 1958. -Dom Shtjefën Kurti ndiqej në vitet 1963-1971 nga bashkëpunëtorët “Partizani”, “Adresa”, “Ditë pushimi”, “Guximtari”, “Vermoshi”, “Misri i kuq”, “Kthesa”, “Speca”, “Tomori”. Asnjëri prej tyre nuk doli në gjyq kur u dënua me vdekje në vitin 1971. -Në vitin 1976 ndiqej problemi i centralizuar “Bretkosat” (8 persona) në Tiranë. Ndjekja filloi si pasojë e një të dhëne të bashkëpunëtorit “Fluksi”.

Nga keqorganizimi i punës agjenturore, njëri nga personat që u arrestua e kuptoi se të dhënat vinin nga “Fluksi” dhe e bëri publik emrin e tij. Kjo çoi në djegien e “Fluksit”. U kritikua puna e dobët në drejtim të edukimit të agjentit “Fluksi”, si dhe ajo e punëtorëve operativë./PANORAMA.AL/