“Sipas nevojave, detyrave e problemeve në fushën e kërkimit, në përmbushje të rolit të saj, pranë Akademisë mund te ngrihen njësi të kërkim-studimit me aktivitet afatshkurtër e afatgjatë”.

Është kjo përgjigja zyrtare e Ministrisë së Arsimit për fatin e punonjësve të Instituteve Albanologjike në vend pas Vkm-së që shkrin Akademinë e Studimeve Albanologjike. Pak kohë më parë ASA çoi një kërkesë zyrtare pranë kësaj ministrie për të ditur çfarë do të bëhet me Institutet dhe kërkuesit e saj. Përgjigja konfirmon shqetësimin e ASA-s se shkrirja nën Akademine e Shkencave vë në rrezik vetë institutet që tashmë do të kthehen në njësi sipas nevojave.

Nëse kjo në të ardhmen do të thotë zhbërje tërësore apo jo. Megjithatë në vijim duket se Ministria nuk lë vend për dyshime kur thotë se “Është Akademia e Shkencave në Republiken e Shqipërisë autoriteti kompetent, i cili përgjigjet për riorganizimin/krijimin e njësive të kerkim-studimit, duke vlerësuar dhe aktivitetin e këtyre njësive, afatshkurter apo afatgjatë. Në varesi të rëndësisë dhe kohëzgjatjes, Akademia e Shkencave vlerëson nëse këto njësi do të ngrihen me akte të Asamblesë apo te Kryesisë apo duhet të vijohen procedurat për krijimin e tyre me vendim të Këshillit të Ministrave”.

“Për mbylljen e veprimtarisë si Akademi e Studimeve Albanologjike dhe riorganizimin e njësive kryesore të saj, njësitë kryesore Qendra Kërkimore e Enciklopedisë Shqiptare dhe Botimeve dhe personeli akademik i këtyre njësive, aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, riorganizohen si njësi të kërkim-studimit pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, brenda datës 31 dhjetor 2023.

Këto njësi janë autonome në realizimin e detyrave të tyre, mbajnë marrëdhënie me Kryesinë e Kryetarit dhe raportojnë pranë tyre. Sipas rëndësisë, problemeve e kohëzgjatjes, këto njësi ngrihen me akte të Asamblesë apo të Kryesisë për njësitë me afat deri në 2 vjet dhe me vendim te Këshillit te Ministrave për njësitë e tjera.

Në lidhje me pyetjen 3, për transferimin e administratës së ASA-s, sqarojmë se në bazë të pikës 5, të vendimit m. 338, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, në të cilën përcaktohet që “Akademia e Studimeve Albanologjike të marri masa që të vijojë ushtrimin e veprimtarisë së saj akademike, kërkimore-shkencore, administrative dhe financiare, deri në transferimin e plotë të njësive pranë Akademisë së Shkencave, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, transferimi i personelit të ASA-s do të bëhet pranë Akademisë së Shkencave”, ka thënë Kushi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: