Republika popullore nxitet për marrëveshje të reja me Kinën dhe Rusinë dhe frika e raketave dhe sabotimit të Lojërave Olimpike afron Moon Jae-in me Veriun, shkruan e përditshmja italiane ‘La Stampa’.

Presidenti amerikan Donald Trump mund të ketë një buton më të fuqishëm se ai i Kim Jong-un, por me këtë hapje dialogu mes dy Koreve, ishte lideri i Phenianit që hodhi një raketë diplomatike efikase që kërcënon të prishë dialogun e vështirë mes Washingtonit dhe Seulit, ndërsa koha e hedhjes ishte perfekte.

Javët e fundit kanë qënë një distancim i pozicioneve gjithnjë e më të largëta mes diplomacisë amerikane dhe asaj koreano-jugore. Nga njëra anë, një president Trump me deklaratat e tij gjithnjë e më të forta por që zbaton me përpikmëri një sërë sanksionesh kundër Phenianit. Nga ana tjetër presidenti koreano- jugor Moon Jae-in që po përgatitet të inaugurojë Lojërat Olimpike Dimërore në malet e tij dhe sigurisht që nuk mund të lejojë sulme terroriste ose me sulme me raketa nga Veriu dhe ka nevojë të dëshpëruar për një armëpushim.

Kështu, disa ditë pas kërkesës së amerikanëve ndaj Kombeve të Bashkuara për sanksione te reja të rënda kundër regjimit të Kim Jong-un, lideri koreano-verior shfaqet me xhaketë dhe kravatë në television, me një stil të parashikuar perëndimor, dhe njofton: ok, hapni linjën e bisedimeve me Korenë e Jugut, takohemi dhe të diskutojmë nëse do marrim pjesë në Lojërat Olimpike.

Tensionet mes Moon Jae-in dhe Trump janë rritur gjatë muajve të fundit. Nga njëra anë, fytyra e zymtë e miliarderit të Shtëpisë së Bardhë, e indinjuar nga përparimi i testeve bërthamore të Phenianit, nga ana tjetër presidenti më pajtues i Koresë së Jugut, që i kujtonte botës fuqinë e tij të vetos kundër çdo lloj sulmi të lëshuar nga forcat amerikane të pozicionuara në Korenë e Jugut, deklaratë që zemëroi gjeneralët amerikanë. Por Moon Jae-in duhet të mendojë për faktin që zgjedhësit e tij e dërguan në Shtëpinë Blu, pallatin presidencial të Seulit, pikërisht me një mision diametralisht të kundërt me atë të paraardhëses së tij, presidentes Park Geun-hye, e përfshirë në një skandal ryshfetesh dhe korrupsioni, dhe që shihej si shumë e nënshtruar ndaj Washingtonit.

Duhet të kujtojmë se shpirti i unifikimit, të cilit Koreja e Jugut i dedikon një ministri të rëndësishme, është më i gjallë se kurrë ndonjëherë. Nga pozicione të kundërta sigurisht: ne Veri ëndërrojnë të nënshtrojnë me forcë pro-amerikanët e Jugut, ndërsa në Jug bëjnë llogaritje ekonomike se si të marrin fonde nga Veriu, sapo regjimi të mbetet plotësisht i uritur dhe i falimentuar, por pa shkaktuar një krizë humanitare të pariparueshme.

Dhe ndoshta falimentimi është afër. Lëvizja e Kim Jong-un, për hapjen e papritur të dialogut mes dy delegacioneve në “fshatin e armëpushimit” të Panmunjom, në zonën e çmilitarizuar, solli një fitore të vogël: dërgimin e një grupi koreano-verior në nivel të lartë në Lojërat Olimpike. Nuk mund të kishte garanci më të mirë për Korenë e Jugut kundër frikës së raketave ose sabotimit nga Veriu gjatë Lojërave Dimërore.

Ndërsa për Amerikën ky ështe një mashtrim. E ka përmendur edhe ambasadorja e SHBA-së në OKB, Nikki Haley: “Nuk ka nevojë për një buzëqeshje apo për një foto. Nëse nuk bëhet diçka konkrete për të eliminuar të gjitha armët bërthamore të Koresë së Veriut, nuk mund ta marrim seriozisht këtë dialog.”

Por Trump, në stilin e tij të paimitueshëm, mori meritat edhe për këtë hapje dialogu, duke theksuar se ishte falë toneve të tij të ashpra që Kim Jong-un vendosi të merrte pjesë në dialog. Megjithatë ka më shumë mundësi që ishin sanksionet e Kinës që shtynë Korenë e Veriut të merrte atë vendim.

Lideri koreano-verior ndoshta shpreson të nxisë Rusinë dhe Kinën të rinovojnë kërkesën për një marrëveshje të re: bllokimin e programit bërthamor koreano-verior në këmbim të një pezullimi të ushtrimeve ushtarake të përbashkëta mes forcave amerikane dhe koreano-jugore, tashmë të shtyra pas Lojërave Olimpike.
Objektivi mund të jetë rihapja e negociatave që mund të shtyjnë Shtetet e Bashkuara, Kinën dhe Rusinë të ofrojnë ndihmë ekonomike dhe diplomatike në këmbim të pezullimit të programit bërthamor. Trump ka deklaruar më parë se kjo është një rrugë e papranueshme, por në këtë pikë, ndoshta tashmë po punohet për këtë mundësi.

Burimi: La Stampa- Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb