Dy apartamente në katin e shtatë dhe të tetë të një pallati shumëkatësh janë djegur plotësisht gjatë natës duke sjellë panik tek të gjithë banorët e tij.
Zjarri i përmasave të mëdha është vënë re rreth orës 23:30 ndërsa për ta vënë në kontroll u është dashur disa orë pune 5 makinave zjarrfikëse dhe personelit të këtij shërbimi.

Si rezultat i flakëve mbi 20 banorë të pallatit që u shpëtuan nga asfiksia dhe një zjarrfikës u dërguan ne spital dhe pas mjekimeve dhe kontrollit mjekësor janë nisur për ne shtëpitë e tyre jashtë rrezikut për jetën disa orë më pas. Burimet Nga Spitali Rajonal bënë me dije se banorët e pallatit kanë qëndruar deri sa u janë bërë kontrollet mjekësore dhe iu është dhënë ndihma e parë atyre me asfiksi.

Energjia elektrike u stakua pas flakëve të zjarrit duke bërë që ashensori i pallatit të dalë jashtë funksioni. Katet e sipërme u bllokuan nga tymi duke bërë që banorët të kërkonin ndihmë për evakuim pasi edhe kalimi nga shkallët u bë i pamundur. Banorët e kateve të sipërm janë shpëtuar nga një autoshkallë e cila transportonte nga një ballkon i katit të tetë në tokë banorët.

Fillimisht janë shpëtuar prindërit me fëmijë të vegjël. Moti ka qenë në disfavor ndërsa shiu i rrëmbyeshëm ka vështirësuar operacionin e zjarrfikësve për të shpëtuar banorët e pallatit në lagjen 1.

Midis të evakuuarve ishte një e moshuar e paralizuar. Katër autoambulanca dërgonin në spital çdo banor të shpëtuar ndërsa operacioni zgjati deri rreth mëngjesit. Ekspertiza ka nisur veprimet hetimore në vendin e ngjarjes në mëngjes ndërsa shkak i zjarrit dyshohet se është një shkëndijë elektrike paraprakisht.

Zjarrfikësit pa frikë mund të quhen heronjtë e heshtur të natës të cilët në kushte shumë të vështira kanë shpëtuar banorët ndërsa nuk është shënuar asnjë viktimë.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb