Një fabrikë këpucësh është përfshirë nga flakët në Shullaz të Kurbinit mëngjesin e sotëm.
Sipas informacionit, magazina e fabrikës është shkrumbuar totalisht, dhe ndërkohë që nuk raportohet për viktima, ka dëme të shumta materiale.
Në vendin e ngjarjes janë të pranishme mjete të shumta zjarrfikëse, të cilat po luftojnë për të shuar flakët dhe për të parandaluar përhapjen e zjarrit.
Gazetari Igli Celmeta raporton për Balkanweb se në drejtim të vatrës së zjarrit në fabrikën e këpucëve “Alba Shoes”, Kurbin janë nisur për t’u ardhur në ndihmë dhe 3 mjete zjarrfikëse nga bashkia Tirana dhe 1 mjet zjarrfikës nga bashkia Krujë.
Ende nuk ka informacion të plotë për shkakun e zjarrit, por hetimet janë në zhvillim.
(Balkanweb)