SHKUP-Tensionohet situata në Maqedoni pasi policia ka ushtruar dhunë ndaj protestuesve të cilët janë mbledhur para godinës së qeverisë në Shkup. Mediat maqedonase raportojnë se policia ka përdorur gaz lotësjellës dhe topa uji kundër protestuesve.

Gjithashtu raportohet për disa të plagosur në mesin e protestuesve, të cilët nuk janë larguar nga gazi lotësjellës dhe topat e ujit të forcave speciale.
Protestues të revoltuar po qëndrojnë disa metra larg qeverisë duke bllokuar rrugët dhe duke qëndruar pranë njësiteve speciale.

Demostruesit po brohorisin ‘dorëheqje të Qeverisë’, ‘vrasës’, ‘Gruevski ik’. Njësitet speciale janë shtuar para Qeverisë, ndërsa forca të mëdha policore janë të pranishme edhe në disa pika në kryeqytet.

Një pjesë e protestuesve kanë hedhur vezë në drejtim të ndërtesës qeveritare. Protestuesit kanë valvitur edhe pankarta me slogane antiqeveritare, ndërsa në protestë është parë edhe valvitja e flamurit shtetëror dhe flamurit shqiptar.
Protestuesit gjithashtu i bëjnë thirrje policëve që t`i bashkëngjiten protestës dhe revoltës së tyre.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb