Autoritetet qeveritare maqedonase janë të bindur se emri “Republika e Maqedonisë së Iindenit” është zgjidhje e mirë si për maqedonasit dhe për ruajtjen e identitetit të tyre kombëtar, po ashtu edhe për grekët, të cilët nuk e njohin fqinjin verior me emrin Maqedoni për shkak të një rajoni me të njejtin emër në veri të Greqisë.


Dy kryeministrat, Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras në parim duket se kishin rënë dakord për këtë variant gjatë takimit të fundit në Sofje të Bullgarisë, por opozita greke menjëherë e hodhi poshtë atë si të papranueshëm. Drejtuesi opozitar Kirjakos Micotaqis është shprehur se termi “Maqedonia e Iindenit” mbështetet tek synimet irredentiste të Shkupit.


Nga ana tjetër, kryeministri Zoran Zaev thotë se ky propozim e forcon identitetin dhe ruan dinjitetin e popullit maqedonas por se nuk dëmton as interesat e Greqisë.


“Do të bëjmë ç’mos për të gjetur një zgjidhje të këtij problemi 25 vjeçar që ka bllokuar Republikën e Maqedonisë në të gjitha perspektivat e saj”, tha sot zoti Zaev pasi doli nga gjykata dhe u shpall i pafajshëm për akuzat që e rëndonin për mitëmarrje në kohën që ishte kryetar i komunës së Strumicës, në juglindje të Maqedonisë.

Sa i përket referencës Maqedonia e Ilindenit, autoritetet qeveritare në Shkup janë pajtuar me ndryshimet e kushtetutës siç i kërkon Athina, por që së pari propozimi të hidhet në referndum popullor.

Nga ana tjetër, përkthimi apo përshtatja në shqip e emrit si Republika Ilinditase e Maqedonisë nga eksponentët e Bashkimit Demokratik për Integrim në qeveri ka hasur në kundërshtinë e gjuhëtarëve dhe të opinionit publik, por dhe tek një pjesë e historianëve shqiptarë të cilët kryengritjen e Ilindenit më 1903, një datë historike që mbështetet tek Shën Ilia e shikojnë si një ngjarje ku ishin manipuluar ndjenjat dhe interesat shqiptare të kohës.

Ndërkohë, çështja e emrit po shikohet me interes të shtuar në Uashington dhe në Bruksel. Nënpresidenti i Shteteve të Bashuara të Amerikës Mike Pence ka biseduar me telefon me kryeministrin grek Alexis Tsipras për t’i shprehur vlerësimet për rolin e tij së bashku me kryeministrin maqedonas Zoran Zaev në përpjekje për zgjidhjen e problemit të emrit.

“Ata kanë rënë dakord, – thuhet në një njoftim të Shtëpisë së bardhë, – se palët kanë një mundësi historike për zgjidhjen e çështjes dhe se koha për këtë është shumë e rëndësishme”. Nënpresidenti Pence ka inkurajuar kryeministrin Tsipras që të vazhdojë angazhimet me kryeministrin Zaev për një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët. “Zgjidhja e problemit do të shtojë qëndrueshmërinë dhe paqen në rajon”, është shprehur zoti Pence. /VOA/