TIRANE – Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën të diskut se po merr masat për të nisur sa më shpejt vënien në zbatim të skemës lehtësuese për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura (principal dhe kamatëvonesa) nga konsumatorët familjarë.

Sipas OSHEE-së, Drejtoria e Teknologjisë së Informacionit po programon sistemin e pagesës në përputhje me skemën e re të aktmarrëveshjeve, sipas vendimit të marrë prej Këshillit Mbikëqyrës të Kompanisë.

Brenda dy ditësh, do të mund të përfundojë konfigurimi dhe testimi i sistemit për të bërë të mundur zbatimin e skemës lehtësuese në shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.

Një ditë më parë kryeministri Rama shpjegoi alternativat u ofrohen konsumatorëve debitorë, për pagimin e faturave të mbartura të energjisë elektrike. Kryeministri tha se tashmë do të nisë faza e dytë e operacionit kundër vjedhjes së energjisë, në kuadër të të cilit ka hyrë në fuqi që prej 1 dhjetorit një mekanizëm i ri për pagimin e debive.

“Cdo konsumator familjar që ka borxhe të mbartura ndaj kompanisë ka një mundësi të papërsëritshme deri në 28 shkurt, të paguajë borxhin e plotë dhe të përfitojë ulje të shumës së kamatëvonesës me 80%. Nuk bëhet fjalë për falje, por përfitim të dyanshëm përmes pagesës së plotë të borxhit. Kompania përfiton nga marrja e borxhit me 20% kamatëvonesë dhe konsumatori përfiton ulje 80% të kamatëvonesës. Konsumatorët mund të shlyejnë çdo muaj jo më pak se 2500 lekë të reja në muaj nga borxhi i tyre. Borxhi do shlyet i plotë dhe kamatëvonesa nuk hiqet. Përjashtimisht, për familjet e kategorizuara me ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar dhe pensionistët kryefamiljarë, vlera e këstit mujor për shlyerjen e borxhit do të jetë jo më e vogël se 1000 lekë të reja në muaj. Por nuk do të ketë asnjë rast lidhje të energjisë elektrike pa paguar këstin.”- deklaroi Rama.

 

(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: