ITALI –Shtatë anëtarë të një familjeje shqiptare në Rimini, në Itali kanë përjetuar momente terrori mbrëmjen e djeshme, pasi banesa e tyre u përfshi nga flakët, duke i lënë të bllokuar në katin e dytë. Në pamundësi për të dalë nga banesa, familja shqiptare, dy prindërit, 4 fëmijët e mitur dhe xhaxhai janë hedhur nga dritarja e katit të dytë.

Sipas mediave italiane, nëna 31-vjeçare dhe një djalë 7 vjeç janë në gjendje më të rëndë, ndërsa të tjerët, duke përfshirë edhe një bebe vetëm 3 muajshe janë dërguar në spital me dëmtime më të lehta.

Mësohet se fqinjët kanë dëgjuar thirrjet për ndihmë dhe i kanë ardhur në ndihmë famijles shqiptare duke vendosur poshtë dritares disa dyshekë, për të shmangur një tragjedi të mundshme.

Fakti që vatra e zjarrit ishte në katin e parë bëri që shkallët të bllokoheshin nga flakët, duke bllokuar në dhomat e gjumit në katin e dytë të shtatë anëtarët e familjes shqiptare, identiteti i të cilëve nuk bëhet ende i ditur.

Sipas hetimeve të para, zjarri mund të ketë qenë i qëllimshëm, pasi dera e shtëpisë në katin e parë ishte hapur me forcë.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: