NGA:ARTAN LAME*
Atë që i kanë bërë Krujës shqiptarët, nuk ia bënë dot dy sulltanë bashkë. Sërish nuk rri dot rehat dhe marr këtë të diel udhën e Krujës. Ka shumë gjasë të jetë e fundit. Kruja, historia e saj, monumentet, gjurmët e së shkuarës, janë dëmtuar aq rëndë, shkatërruar, ndryshuar, deformuar e fshirë, sa mund të konsiderohet se ka humbur përgjithmonë magjinë e saj. Ndoshta përtej saj, atje mes mjegullave prapa Malit të Krujës, mund të kenë mbetur kujtime të bukura, por edhe ato… veç kujtime.

1 – Krujë, 1849. Imazhi i parë i njohur i Krujës, ky vizatim i Edward Lear. Lear-i e njihte Skënderbeun dhe lidhjen e tij me Krujën.

2 – Krujë, 1905. Në këtë vit Krujën e viziton Edith Durham, e cila e emocionuar vizaton hyrjen e kalasë, duke pasur ndërmend përshkrimet e Barletit për mbërritjen e Skënderbeut në qytet.

3 – Krujë, 1990. Siç na e la Komandanti, pasi e restauroi, e ndreqi dhe i ndërtoi edhe muzeun heroit.

4 – Krujë, 2014. Krahasimin me foton paraardhëse bëjeni vetë. Për më tepër, kjo foto është e para dy vjetëve. Sot ka edhe të tjera ndërtime.

5 – Krujë, 21.02.2016. Mostra prej betonarmeje që është ngritur përgjatë gjithë gjatësisë së pamjes së Kalasë, mbërrin deri fare pak centimetra nga hyrja kryesore e saj. Kurrë nuk ka pasur ndërtim në atë vend, dhe kjo shihet qartë nga të gjitha vizatimet e vjetra, dhe megjithatë kjo nuk i ndaloi që të jepnin aty një leje ndërtimi, që mund të llogaritet si ndër krimet kulturore më të këqija që i janë bërë kujtesës sonë kombëtare. E paçin në qafë për së gjalli, e më pas edhe në atë botë, Apollon Baçe me shokë që e firmosën. Mbaj mend që e kam takuar aty edhe vetë ministrin e Kulturës, që e kishte firmosur edhe ai, Aldo Bumçin, dhe që përpiqej të justifikohej pas faktit që trualli ishte me pronar. I bukur argument!

6 – Nuk është ndonjë periferi barangash kjo që shihni. Është udha ku kalojnë gjithë shqiptarët mëmëdhetarë që shkojnë për të hyrë në kala.

7 – Këtu shihet qartë se deri ku ka mbërritur leja skandaloze, deri as një metër larg kullës së jashtme që mbron hyrjen e kalasë. Në çdo vend normal, kush do kish firmosur një leje të tillë, do i shkonte gjyqit – të shtetit, të njerëzve dhe të historisë. Por ne nuk jemi vend normal.

8 – Kjo është kulla e hyrjes së kalasë, e parë nga sipër. E shihni të sistemuar dhe me një bahçe përsipër, për arsyen e thjeshtë se… është privatizuar. Po po, me gjyq, kullës së hyrjes së kalasë i ka dalë pronari, i cili tani e ka rrethuar me gardhe dhe nuk lejon më të vizitohet.

9 – Çatia e kishës së skajit perëndimor të Kalasë. No comment!
10 – Ndërtime pa leje dhe zëvendësim i tjegullave origjinale me tjegulla moderne greke. Nuk ia vlen të akuzohen banorët, kur edhe vetë IMK-ja e mbuloi hamamin e kalasë me të tilla tjegulla. Në këtë rast konkurron barbaria me injorancën.

11 – Ish-shkallët që të ngjisin në Kullën e Sahatit, simboli ikonik i kalasë. Ndoshta duhet t’i ketë prishur vetë Gjergji, që të pengojë turqit të sulmojnë kullën. Po shqiptarët, si do t’i pengojë?

12 – Vetë kulla e sahatit ka marrë një të plasaritur vertikale rreth 5-6 metra të gjatë që e përshkon gati gjithë trupin e saj. Rrezikon jashtëzakonisht seriozisht që, me lëkundjen e parë, të mos jetë më. Dhe kështu të flemë mendjen të gjithë.

13 – Sarajet e Toptanëve në kala, në një foto të viteve ’20.

14 – Shihni se çfarë i kanë bërë injorantët e IMK-së me gjoja projektin e restaurimit. Kjo për të treguar se sa jashtë piste jemi kur flasim për institucione shkencore.

15 – Muzeu i heroit është e vetmja gjë që të paktën mbahet disi mirë. Pa diskutim këtu duan një falënderim të madh punonjësit e tij, disa prej të cilëve janë heronj të vërtetë po aq sa vetë Gjergji. Po injoranca e institucioneve prapë ia del të depërtojë. Në sallën me ceremoniale të muzeut, në vendin më të dukshëm, është kjo grykë topi dhe kjo shpatë, me diçiturën në shqip dhe anglisht: “Shpatë e shekullit XV”. Në fakt është një shpartë karabinierësh italianë e kohës së Luftës I Botërore dhe e përdorur edhe gjatë L. II B. Punë 500 vjetësh gabim.

16 – Kur je në sheshin qendror të Krujës, kalaja nuk duket më. Vetëm maja e kullës ia del të shfaqet ende mbi ndërtimet absurde.

17 – Dhe kjo është uvertura. Krujë, shkurt 2016. Dhe siç e shihni nga skelat, vijon të lartohet.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: