Byroja Federale e Hetimit njofton se deri më tani nuk ka gjetur asnjë lidhje përfundimtare midis sulmit me kamion në New Orleans natën e Vitit të Ri që vrau 15 njerëz dhe shpërthimit të makinës Tesla në Las Vegas, pranë kullës Trump, e cila vrau drejtuesin e automjetit. Zyrtarët thuhet se kanë identifikuar viktimën i cili ishte një ushtar aktiv i ushtrisë amerikane.
Shpërthimi në Las Vegas jashtë hotelit Trump International la pasagjerin e vetëm të makinës të vdekur dhe shtatë persona me lëndime të lehta, tha në një deklaratë Departamenti i Policisë Metropolitane të Las Vegas.
Zyrtarët e zbatimit të ligjit e identifikuan njeriun brenda Tesla Cybertruck si Matthew Livelsberger, një ushtar aktiv i ushtrisë amerikane, raportoi Associated Press dhe media të tjera të enjten.
“FBI ka identifikuar personin që drejtonte Cybertruck-un, por nuk ishte gati të publikonte atë informacion”, u tha gazetarëve të mërkurën agjenti special i FBI-së, Jeremy Schwartz. FBI nuk iu përgjigj një kërkese për më shumë informacion të enjten.
Livelsberger ishte caktuar në Komandën e Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane dhe ishte me leje në momentin kur gjeti vdekjen, tha një zyrtar i ushtrisë amerikane. Komanda e Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane nuk ka pranuar të japë detaje rreth hetimeve.
Livelsberger kishte qenë në detyrë aktive nga janari 2006 deri në mars 2011 dhe më vonë shërbeu në Gardën Kombëtare dhe Rezervën e Ushtrisë përpara se të rihynte në detyrë aktive në dhjetor 2012 si ushtar i Operacioneve Speciale të Ushtrisë Amerikane, bëri të ditur një zyrtar i ushtrisë amerikane.
Autoritetet thanë të mërkurën se Tesla Cybertruck ishte marrë me qira në Kolorado. Zyrtarët e FBI po zhvillojnë hetime dhe në zonën nga ku mendohet se ka dalë Tesla janë parë prani e shtuar e forcave të rendit. Zyra e FBI-së në Denver tha të enjten se një kontroll i një banese në Kolorado Springs nga autoritetet federale dhe lokale lidhet pikërisht me shpërthimin në Las Vegas.
(BalkanWeb)