Në kohët që jetojmë, në vendin që jetojmë dhe në shoqërinë që jetojmë ka qenë përherë e kollajt dhe pa teklife që kush do të kalojë ylberin dhe të bëhet ai që është. Mirëpo, kjo përherë ka ndodhur nga kushtet e rehatisë që i ka dhënë tjerrja e pozitës për një kohë të gjatë. Unë e torra aq shumë fillimin për të thënë që në këtë shoqëri nuk ka qenë ndonjëherë turp të bësh gjoja, ose të bësh sikur, ose të jesh tjetërkush e të hiqesh tjetërkush. Është deri diku normale sepse shoqëri fasadash është fundja. Se fundi ku niveli babëzisë, hajdutërisë, makutërisë, butakërisë, megalomanisë dhe shumë manive të tjera ka arritur në nivele sureale.


Siç është rasti i deputetit në parlament që gënjen sy për sy, ne kemi patur deputetë që do të përmirësonin cilësinë e diellit, deputetë që do u kthenin njerëzve lekët nga firmat piramidale, deputetë që do u zgjidhnin halle njerëzve si dhe kanare që do binjakëzonin sport-klubin e Peqinit me Milanin.


Siç është analisti në televizor që larvëzon sy për sy, ne kemi analistë që kanabizimin e kanë progres ekonomik, vrasjen e njerëzve në bulevard, zbatim ligji, stadiumin kombëtar në vepër arti arkitekturor, teatrin e kanë për dopolavoro, pallatizimin e kanë për gjelbërim, imoralitetin për burrëri, qokën për president, tallavanë për opozitë dhe çetën e hajdutëve për qeveri.


Po, është e vërtetë që sot jemi në krizë vlerash!

Po, është e vërtetë që ka padrejtësi në shpërndarje të të ardhurash! Madje dhe më keq, nuk ka shpërndarje fare.

Po, është e vërtetë që ka grykësi, pafytyrësi dhe paftësi për të krijuar një sistem të ri vlerash!

Po pse deri këtu do të vejë pafytyrësia? Edhe këtë flamur do na e marrësh ne që në këtë hale vend vetëm mirë kemi bërë? Po jo mor burrë jo, po jo or trim se iku ajo kohë që ju merrnit se ashtu thosh partia! Në emër të partisë sot e kësaj dite vendosni pa pyetur njeri, shkoni tek biznesi dhe tek djersa e njerëzve pa ua bërë syri tërr dhe njësoj siç e përshkruante At Zef Pllumi në kohën e qoftëlargut, ashtu dhe sot kërkoni ç’të doni në emër të ligjit tuaj personal.

Po mos, këtë flamur nuk mund ta marrësh Ti dhe syresh të tjerë. Me flamurin e të mirit e të shumë-vlerit e prishi këtë vend Rrapush Xhaferi që u mori djersën, më pas Fatos Nano që u ktheu lekët dhe më pas Ben Blushi që u vrau shpresën, e ndonjë kallup tjetër.

U kujtove për diasporën kur ike nga Ministria e Diasporës? U kujtove për vlerën kur të “qitën” përjasht? U kujtove për grykësinë kur të zhgraduan nga grykës? U kujtove për barazinë kur të deklasuan mes të barabarëve?

Kur kishe të njëjtat vlera mendoje si Ari piktori… që vendin tonë po e mbyt presioni Bolsheviko Lindor dhe lumenjtë nacionalistë, ndaj po nuk na hapët dyert ju ne do ti hapim të tjera gjëra lindjes shpëtimtare por të frikshme… Po llogari vetes i kërkuat ndonjëherë për kasaphanë ekonomike dhe shoqërore që gatuat në bazë të atyre vlerave?

Kur kishe të njëjtat vlera mendoje si Ari piktori, progresi në Bashkimin Evropian ka për të qenë progres i brendshëm. Po, jam dakord! Se ky është parimi i dembelit, parimi i atij që i ka marrë gjithë jetën gjërat duke premtuar por asnjëherë realizuar, parimi i fëmijës tekanjoz dhe parimi i të pavlerit.

Kur kishe të njëjtat vlera mendoje si Ari piktori, se në rajon ne duhet të mbanim politikën e dyerve të hapura me vendet fqinje. Dakord jam dhe këtu, se ju vlerë-mëdhenjtë zgjidhet hallet e Shqiptarëve dhe u ngelën për të zgjidhur hallet e Maqedonasve, Malazezëve, Serbëve, e ndoshta dhe ndonjë Mauritiusi apo Taivani si qeveri delirante. Keni luajtur bixhoz me jetët e diasporës, Shqiptarëve të Malit te Zi, të Maqedonisë, të Greqisë, e Kosovës, e jo më të mbani dyert hapur për vende që nuk u vijnë…

Kur kishe të njëjtat vlera si Ari piktori, thoshe se qeveria është e përkushtuar për rrugën drejt Evropës (Let there be no doubt about Albania’s commitment), mirëpo përkushtim për të gënjyer dhe bërë të bardhën të zezë në sy të ndërkombëtarëve kemi parë jo vetëm nga ty e ish shokët e tu, por nga të gjithë të kastës tuaj një vlerëshe… Përkushtim për Shqiptarët nuk treguat, por gjatë gjithë kësaj kohe hapët këmbët për hashashin, hapët dyert për hajdutët, hapët duart për krimin dhe hapët rrugët për drogën… Mbushët Shqipërinë me hashash, nuk latë të dënuar me burgim të përjetshëm pa nxjerrë nga burgu, kriminel pa vrarë njeri në mes të Tiranës pa i bërë temena dhe shëndrruat qytete si Elbasani, Lezha, Fieri dhe Durrësi si qendra kokaine dhe heroine ku kalohen tonelata në mes të ditës. Po! Ky është përkushtimi ndaj shqiptarëve.

Kur kishe të njëjtat vlera dhe mendoje si Ari piktori, i thoshe Bashkimit Evropian se reformat janë të vështira dhe jo se nuk i bëjmë ne por shoqëria Shqipëtare është rezistente, recitiviste dhe ka interes ta mbajë “sipas zakonit të vjetër”. Jo ore lum miku jo, rezistentë ishit e jeni ju, recitivistë ishit e jeni ju, sipas zakonit të vjetër ishit e jeni ju dhe gjithë mendësia juaj e cila nuk prodhoi një të mirë, një argument dhe një politikë. Madje shprehesh dhe bukur në anglisht: “Such deep reforms are often met with resistance and disbelief. But, against all odds, we also know that there is no alternative” – ka Alternativë o xhan, ka!

Kur kishe të njëjtat vlera dhe mendoje si Ari piktori, u bëtë vllazën e motra me Erdoganin e i shitët arsimin, hapësirën ajrore, ushtrinë, madje edhe policinë e veshët me rroba turke… Po jam dakord, edhe këtu! Se me vlerat që kishit, njëlloj si ai skizofreni ishit.

Kur kishe të njëjtat vlera dhe mendoje si Ari piktori, i thoshe evropit se 90% e shqiptarëve duan Bashkimin Evropian e të hyjnë në Evrope dhe se po këta shqiptarë janë shumë entuziastë për të. Normal, edhe këtu dakord jam. Me ato vlera që kishit, gënjeshtrën e kishit normë. Nuk i thatë evropit se shqiptarët e shkretë nuk e dinë fare se çfarë është të hysh në BE, se bizneset e fakirave nuk e kanë idenë se çfarë barre do marin kur të hyjnë në BE, po nuk i thatë evropit se që pas levizjes së lirë shqiptarëve nuk u kërcet fare hyjnë a nuk hyjnë në BE.

Kur pretendon ti të jesh i ri, është njësoj si Basha që thoshte pse unë nuk jam i ri dhe njësoj si unë që pretendoj të jem si Kim Kardashian.

Antivlera pjesë e së cilave ishe dhe ti, ose në gjuhën popullore të zuri mallkimi (karma), të zuri vendin një person që është promovuar po sipas vlerave që ke qenë pjesë ti… pra pa kontribut në fushë, pa talent dhe pa njohuri për fushën…

Kosto e këtyre fluturakëve, i kthehet shoqërisë në viciozitet sepse ngrihen breza të tërë me pritshmëri për tu bërë sot SHEF.

Ju me këtë lloj vlere dhe me këtë lloj mendësie ngelçi pa shokë or shokë, se flamurin që do kësaj here nuk do jetë kollaj ta marrësh as ti e as syresh të tjerë.

Etiketa: