23-vjeçari, Florenc Beqiraj, po lufton me vdekjen në një spital në Francë, pasi u dhunua dhe u masakrua barbarisht në një burg në qytetin e Marsejës.
Gazeta Express ka mundur që të kontaktojë më shokun e tij, me të cilin Florenci la Shqipërinë për të gjetur një jetë më të mirë në Francë. Sipas shokut të tij, i riu nga Shkodra është arrestuar në shtëpi nga policia franceze, pasi nuk ishte i pajisur me leje qëndrimi. Ai është dërguar në një burg në Marsejë, burg ky që njihet si problematik për shkak të sherreve të shumta që ndodhin brenda ambienteve të tij.

Në burg, Florenci ka gjetur edhe një shok, i cili e ka marrë atë në qeli, duke e ndihmuar dhe mbrojtur nga të burgosurit që ndodheshin aty. Por, pasi disa ditësh ai ka dalë nga burgu, duke e lënë Florencin aty, të cilin kanë filluar ta ngacmojnë disa arabë, për të cilët dyshohet se janë edhe autorët e ngjarjes. 23-vjeçari ka kontaktuar me shokun e tij të ngushtë, duke i shprehur shqetësimin, për të cilin ai ka biseduar me punonjësit e burgut, nga ku ka marrë siguri se asgjë nuk ka për të ndodhur.

Kujtimi thotë se lajmin e mori vesh nga një shoku i tyre i përbashkët, me të cilin Florenci kishte ndenjur për pak ditë në burg. Ai ka shkuar me një herë në spital, ku i kanë thënë se gjendje e tij është shumë e rëndë dhe se Florenci ishte në koma.

“Jam mundur të lidhem me shtetin shqiptar, por asnjë nuk është përgjigjur. U bëjë thirrje të na ndihmojnë”, shprehet Kujtimi për Express. Nga shenjat që ka në fyt, Kujtimi thotë se Florencin kanë tentuar të varin me litar, ndërsa në duar ka edhe disa shenja të tjera, që sipas tij, ai i ka marrë në përpjekje për të shpëtuar veten.

Sipas tij, ditën e djeshme ka mbërritur në spital edhe babai i Gëzimi, i cili ka marrë kontakt me mjekët, ndërsa ka hedhur akuza ndaj tyre se po mundohen të fshehin ngjarjen. Duke mos pasur ndihmën e shtetit shqiptar, babai i tij ka vendosur të marrë avokat, për t’i shkuar deri në fund të vërtetës së kësaj ngjarje. Express mori ditën e sotme edhe një reagim nga Ministria e Jashtme, ku thuhet se autoritet franceze pretendojnë se Florenci ka dashur të vetëvritej, gjë të cilën Kujtimi thotë se nuk është e vërtetë.

“Nuk ka dashur të vrasë veten. Kur u ndaluar nga policia franceze, më tha se nuk është i mërzitur. Më tha se do të kthehem të motra që e kam në Malin e Zi dhe do të punoj aty.”, -rrëfehet ai.

“Shtetasi shqiptar Florenc Beqiraj, lindur më 27.09.1994, ndodhet që prej datës 15 dhjetor 2017 në spitalin Nord të Marsejës, pavijoni i reanimacionit Léon, në gjendje kome për shkak të mosfunksionimit të pjesës më të madhe të trurit, pothuajse pa asnjë shpresë për të jetuar. Pacienti mbahet në jetë nëpërmjet makinerive të asistencës vitale.

Nga informacionet e deritanishme Shërbimi konsullor pranë Ambasadës tonë në Francë, është informuar nga burime të autoriteteve policore, se kjo situatë ka ardhur si pasojë e një tentative për vetëvrasje (me varje), që shtetasi në fjalë ka kryer gjatë qëndrimit të tij në qendrën e grumbullimit të personave pa dokumente, në Marsejë. Sidoqoftë, për momentin nuk ka një version zyrtar të ngjarjes, të konfirmuar nga organet hetimore e gjyqësore, duke qenë se hetimet ende nuk kanë përfunduar”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme për Express.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb