TIRANË- Shoqata Shqiptare e Bankave (Albanian Association of Banks) njoftoi sot se kredia me probleme në fund të muajit dhjetor llogaritet 22.8 %, krahasuar me nivelin 25% të arritur në fund të tremujorit paraardhës.

AAB publikoi të dhënat financiare të paaudituara të bankave tregtare për tremujorin e katërt të vitit 2014 si dhe të dhënat e agreguara mbi sistemin për muajin dhjetor 2014, sipas të cilave totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1,294 miliardë lekë, me rritje prej 4.8% nga një vit më parë, ose 1.7% më shumë se tremujori i kaluar. Sistemi bankar vazhdon të mbetet likuid dhe i qëndrueshëm, me raport të mjaftueshmërisë së kapitalit prej 16.8 % në fund të muajit dhjetor, nga 12% që është norma minimale e kërkuar nga BSH.

Totali i depozitave të vendosura pranë bankave, në fund të vitit 2014 arriti në rreth 1,072 miliardë lekë, me një rritje prej 2.1% (rreth 22 miliardë lekë) krahasuar me tremujorin e kaluar, ose 4.5% krahasuar me fundvitin 2013. Përgjatë tremujorit të fundit rritjen më të lartë, prej rreth 10% e patën depozitat e bizneseve dhe institucioneve, ndërkohë që edhe depozitat e individëve kanë vijuar në rritje të qëndrueshme, me një mesatare vjetore rreth 2.6%. Veçoria në ecurinë e depozitave, sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit 2014 dhe në kushtet e rënies së normave të interesit, ishte zhvendosja e kursimeve nga tregu i letrave me vlerë dhe depozitat afatshkurtra drejt produkteve të depozitave me afate maturimi mbi dy vjet, që ofrojnë dhe norma fitimi më të larta.

Tremujori i fundit 2014 shënoi rritjen më të lartë të tepricës së kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat përgjatë vitit, me rreth 17.9 miliardë lekë ose 3.1%. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori ishte rreth 71 miliardë lekë ose 10% më shumë se një tremujor më parë, ndërkohë që totali i kredisë së re të disbursuar përgjatë gjithë vitit 2014 ishte rreth 16.4% më e lartë sesa ajo e disbursuar në 2013. Rreth 85% e kësaj kredie ka shkuar për bizneset ndërkohë që rreth 48% e saj është disbursuar në lekë. Edhe pse në ritme më të lehta, vazhdon të vihet re një zhvendosje drejt huadhënies në monedhën vendase. Si për bizneset edhe për individët, pjesa më e madhe e kredisë së re ka shkuar për nevoja likuiditeti.

Cilësia e portofolit të kredisë pësoi një përmirësim të lehtë gjatë tremujorit të katërt 2014, duke shënuar një nivel prej 22.8% të kredive me probleme ndaj totalit të kredive në fund të muajit dhjetor, krahasuar me nivelin 25% të arritur në fund të tremujorit paraardhës. Ky përmirësim është reflektuar edhe në uljen e kostove të provigjionimit dhe rritjen e përfitueshmërisë së bankave.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb