* Shoqatat e Transportit: Nga 1 janari s’ka urbanë. Mazniku: Do t’i gjendet zgjidhje

TIRANE- Një ditë pasi Shoqata e Transportit Qytetas bëri kërkesë për rritjen e çmimit të biletës së urbanit, operatorët i janë drejtuar sot Bashkisë së Tiranës. Në takimin në ambientet e Bashkisë për rreth dy orë, Shoqëritë e Transportit Qytetas kanë parashtruar kërkesat e tyre, por në ërfundim të takimit, në një deklaratë për mediat ata thanë se janë të gatshëm për të hedhur hapat drejt biletës elektronike.

Por ata ngrenë shqetësimin se gjatë këtij takimi që zgjati dy orë, nuk u bisedua aspak me kryetarin e Bashkisë për çmimin e biletës.

“Jemi gati edhe për të futur hap pas hapi biletën elektronike. Por problemi për ne është çmimi. Vetëm për çmimin nuk u diskutua sot me kryetarin e bashkisë. Ne sot kemi arritur aty ku nuk mban mend. Nuk mund të rezistojmë më. Nuk bëhet fjalë për greva, por nuk mund të vazhdojmë dot më, pasi nuk kemi fuqi ekonomike”, thotë një anëtar i Shoqatës së Transportit.

Por këtë pikë të diskutimit e ka bërë publike, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës tha se aktualisht nuk mund të diskutohet për rritje të çmimit të biletës.

“Morëm kontakte me disa nga bankat dhe kompanitë e naftës për të kuptuar thellësinë e këtij problemi. Situata është e rëndë, i ngritur si problem vazhdimisht. Dhe ne e kemi monitoruar. Kreu i Bashkisë i bëri të qartë se rritja e çmimit të biletës nuk është zgjidhje. Ne do të diskutojmë për zgjidhje alternative për këtë problematikë. Por nuk do ketë rritje të çmimit apo të abonesë së studentëve.

Folëm edhe për kushtet e transportit urban në Tiranë. Kemi diskutuar edhe për biletimin elektronik, një hap që do të përmirësojë shërbimin ndaj qytetarëve”, tha Mazniku.

Nga ana e tyre, anëtarët e Shoqatës së Transportit Urban thonë se janë në rrezik falimentimi për shkak të situatës në të cilën ata operojnë në treg. Sipas operatorëve bileta e transportit mbetet shqetësuese, pasi kryesisht në orët e paradites ata ofrojnë shërbim për kategori udhëtarësh që nuk paguajnë, apo studentët që udhëtojnë më çmim bilete të reduktuar.

“Jemi 7 kompani që po mbajmë 70 % të lëvizjes në Tiranë, në kushte jashtëzakonisht të vështira. 40% e njerëzve që transportojmë paradite, janë pa biletë, apo me biletë të përgjysmua. Pra janë studentë. Bashkia mos na fuste në kapitalizëm në këto kushte. Kemi marrë autobusët me moshë mesatare më të ulët në Europë.

Kemi nga 1500 punëtore, që jetojnë më këtë punë, kemi 4-5 muaj që s’po u japim dot pagat. Kemi marrë kredi në sasi të mëdha. Nuk kemi mundur të shlyejmë kreditë, për shkak të situatës ku jemi”, tha një tjetër anëtar i Shoqatës së Transportit Qytetas.

Shoqatat e Transportit Qytetas thanë se për shkak të vështirësive do të reagojnë ndaj situatës në të cilën ndodhen, duke kërcënuar se në 1 Janar, do të ndërpritet shërbimi i transportit me urban.

Lidhur me këtë fakt, Mazniku tha se do t’i gjendet zgjidhje. “Do vazhdojmë negociatat se si ky shërbim të vijojë dhe jemi besimplotë se do gjejmë zgjidhje të mos na çojë drejt asaj pike”, tha ai.

Shoqata e Transportit Qytetas i dërgoi dje një kërkesë Bashkisë së Tiranës, duke kërkuar rritje të çmimit të biletës, pasi ata thonë se kostot e tyre mbulohen me çmimin 70 lekë.

Këtë herë ata shprehen më të qartë në qëndrimin e tyre, duke thënë se nëse Bashkia nuk merr parasysh kërkesën e tyre, ata do të pezullojnë aktivitetin.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: