Nga: MARIGLEN MERTIRI

TIRANE- Teksa duket se procesi i regjistrimit në KQZ po finalizohet dhe kandidatët e nominuar do të regjistrohen në zgjedhje, shoqëria civile dhe juristët kërkojnë me forcë të bëhet procesi i dekriminalizimit. Të mbledhur në Forumin Civil 2010 të drejtuar nga ish-Presidenti Alfred Moisiu, ata i bënë thirrje politikës që të reagojë me pjekuri për këtë situatë pasi ky proces nuk parashikohet as në Kushtetutë dhe as në kodin Zgjedhor.


“Ka ende kohë dhe partitë mund të korrigjojnë ndonjë emër për kandidaturat”, tha Moisiu.

Ambasadori amerikan Donald Lu që foli qartë për emra konkretë me të shkuar kriminale, nuk ka ndërmend t’i shtojë asgjë qëndrimit të tij, por pret reagimin e partive politike.

“Të hënën kam thënë shumë, mjaft është thënë nga ne këtë javë”, tha ambasadori Donald Lu.

Ndërsa, ekspertët dhe juristët i cilësojnë ndryshimet në Kodin Zgjedhor të mangëta, pasi nuk kanë mundur të shmangin kthimin e KQZ në një KZAZ në rast të ankimimit të një pale, duke marrë kohë të gjatë për rinumërim dhe zvarritje të procesit.

“Të merren masa të hiqen emrat me precedentë”, tha Luan Omari.

Ndërsa Njazi Jaho tha se “KZAZ e KQV duhet të vendosin kriter verifikimin e dënueshmërisë”.

“Kodi nuk ka bërë rregullim për menaxhimin e votës. Nëse do ketë ankimim do të ketë numërim gjithë verën”, tha Krasniqi. Ndërsa Denar Biba u shpreh se “Rregullimet e Kodit t’i kërkohen legjislatorit”.

Të pranishmit në panel ngritën shqetësim edhe për listat e zgjedhësve, për të cilat nuk është folur gjatë këtyre ditëve, ndërsa kundërshtuan kandidimin e disa kryebashkiakëve për herën e tretë apo të katërt. Problem mbetet edhe fushata zgjedhore e cila ka nisur tashmë, ndonëse Kodi nuk e lejon, dhe për më tepër janë shtuar tonet negativiste dhe gjuha e urrejtjes ndaj kandidatëve gjë e cila nuk dëshmon qytetari.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb