Në studion e News24 ishin të ftuar pensionistë, por edhe ekspertë, për të diskutuar rreth faktit sesi do veprojnë pensionistët për të shtruar darkën e Vitit të Ri.
Pensionisti Qani Shino tha se bonusi i pensionit nuk del askund. Ai tha se sheh marketet ku gjërat janë më lirë, për të blerë ndonjë pulë, sa për të pasur mish në tryezë.
Profesori Afrim Osmani deklaroi se pensionistët janë në prag të mbijetesës. Ai shtoi se qeveria duhet të ndërhyje për situatën e rëndë ku ndodhen pensionistët.
Qani Shino, pensionist, ish-minator: Ne shohim ku janë ofertat. Ne shohim ofertat, ku të gjejmë pulë me çmim të lirë. Bonusi që kemi marrë nuk del askund, ne kemi ilaçe, ujë e drita. Kam blerë gjërat më të lira, veç një pulë për mish dhe katër bërxolla. Çmimet janë rritur.
Romina Radoshiqi, ekonomiste: Pensionisti me pension mesatar nuk merr dot një pulë dhe produkte të tjera normale. Ka pensionistë që janë me pension të pjesshëm dhe gjendja e tyre është e rëndë. Ka pensione 97 mijë lekë të vjetra dhe nuk di çfarë mund të bësh me këto para. Ka pensionistë që pensionet që marrin tek posta, aty i harxhojnë prapë shumicën e parave, se paguajnë dritat e ujin.
Gjergj Gjika, kreu i Dhomës së Fasonistëve: Ka rritje të çmimeve, kjo ka të bëjë me faktin që shteti nuk kontrollon çmimet. Po ai dyqan që për Vitin e Ri ka pasur çmimet shtrenjtë, me datë 1 janar i ka më lirë. Shqiptarët me të njëjtën sasi lekësh, marrim më pak gjëra në treg.
Prof. Afrim Osmani: Rënia e euros i shërbeu qeverisë për shlyerje borxhi. Ka ardhur momenti që qeveria të ndërhyjë tek pensionet. Imagjinoni që një familje në nevojë të mund të shpëtojë me bonus një mujor. Ka rritje ekonomike dhe është e vërtetë. Por nga ana tjetër, pensionistët diskutojnë sot mbijetesën. Në Shqipëri ende diskutohet për bukën dhe kjo është disi e rëndë.
(Balkanweb)