NGA XHENSILA KODRA

TIRANE- Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrin si shpërblim një shumë prej 50 mijë lekësh të vjetra me rastin e festave të fundvitit. Lajmi konfirmohet pranë burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës. Sakaq, po të njëjtat burime pohuan për “Gazeta Shqiptare”, se nga fondi prej 98 milionë e 400 mijë lekësh që qeveria miratoi pak ditë më parë për shpërblimet e policëve, pasi të kompletohen të gjithë efektivët me shumën e caktuar, pjesa tjetër e lekëve do të ndahet për punonjësit që kanë arritur rezultate më të mira në detyrë.

“Të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit do të marrin shpërblim nga 50 mijë lekë të vjetra pa përjashtim, përveç atyre që janë me masë disiplinore. Nga fondi që miratoi qeveria, pasi të kompletohen të gjithë me 50.000-lekëshin e caktuar, pjesa tjetër që mbetet do të shpërndahet për punonjësit më të mirë të Policisë së Shtetit”, sqaruan burimet.

Ndërkaq, mësohet se mes punonjësve të policisë të cilët do të marrin shpërblim plus shumës prej 50 mijë lekësh, do të jenë edhe drejtues së Policisë së Shtetit, shefa komisariatesh, apo edhe shefat e Krimeve e të Rendit. Shuma e caktuar që do të shpërndahet për të gjithë efektivët e policisë (përfshirë edhe zëdhënëset/zëdhënësit e policisë) do të jepet para festave të fundvitit. Ndërkohë, mësohet se drejtuesit e policisë janë duke hartuar një listë me efektivët që kanë shfaqur rezultate më të larta në operacione, ku do të ndahet pjesa tjetër e lekëve. Paraprakisht, punonjësit e policisë që do të përfitojnë shpërblim shtesë do të jenë nga radhët e FNSH-së, të RENEA-s, punonjësit e komisariateve, apo edhe ata të Drejtorive të Policisë në qarqe.

SHUMA E MIRATUAR
Rreth një javë më parë, në vendimin e Këshillit të Ministrave, qeveria miratoi një fond prej 98 milionë e 400 mijë lekësh, shumë kjo e cila do të përdoret për shpërblimin e efektivëve të policisë. “Lejimin e Policisë së Shtetit për përdorimin e fondit prej 98.400.000 (nëntëdhjetë e tetë milionë e katërqind mijë) lekësh, nga fondi i pagave, të planifikuar për vitin 2015, në programin buxhetor ‘Policia e Shtetit’, për shpërblimin e punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë arritur rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Masa e shpërblimit të jetë deri në 2 paga mujore”, shkruhet në vendim. Në këtë mënyrë, fillimisht u raportua se shuma e miratuar do t’u shpërndahej vetëm 1.700 deri në 2.000 efektivëve, të cilët kishin arritje në detyrat e tyre.

Shpërblimi që këta punonjës do të merrnin do të arrinte deri në dy paga në muaj. Ndërkaq, brenda këtij muaji, pritet që efektivët e Policisë së Shtetit të marrin edhe paratë që u takojnë për orët e punës jashtë shërbimit. Shuma e parave që do të paguhet për çdo efektiv është me 20% shtesë. Ky fakt u deklarua edhe nga kreu i Sindikatës së Policisë, Sadedin Fishta, i cili javën e kaluar pohoi për “GSH”, se “orët shtesë duhej të ishin paguar, por maksimalisht duhet të paguhen brenda këtij muaji, në mënyrë që ndaj efektivëve të policisë të mos ketë më asnjë qindarkë borxh. Nëse punonjësit e policisë nuk janë kompensuar me orë pushimi brenda dy muajve, atëherë duhet të paguhen me 20% shtesë të orëve të punës”.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: