NGA MIMOZA KOCIU*-Protesta e katërt e Partisë Demokratike shënoi një trend interesant në aksionin e saj politik.
Vazhdoj të mbetem mes atyre që nuk besojnë se numrat janë garanci suksesi, por ajo përgjigje aq masive ndaj thirrjes së opozitës për protestë, nuk ishte për t’u anashkaluar dhe duhet pranuar që i dha opozitës një avantazh politik. Ky avantazh me të drejtë ka shqetësuar qeverinë e njerëzit pranë saj, që patën qasjen klishé mohuese publike. Së pari përllogaritën numrin e njerëzve në protestë, më tej, hynë brenda pjesëmarrësve duke u analizuar biografitë, më pas nisi fushata e “kujtesës” për gjithë të bërat e të pabërat e demokratëve dje në qeverisje, e së fundmi sërish me të njëjtin nihilizëm, se pakënaqësitë janë të atyre që nuk janë mësuar të respektojnë rregullat e shtetin.
Që shumica e shqiptarëve nuk janë vjedhës të energjisë elektrike e abuzues të rregullave të shtetit, këtë e di mjaft mirë vetë qeveria. A protestuan vallë njerëzit për Partinë Demokratike?

Këtu qëndron thelbi për të kuptuar protestën, e daravitur edhe makthet që kanë zënë qeverinë nga protesta e 22 nëntorit. Vetë demokratët nuk janë në ditët e tyre më të mira. Para 17 muajsh pësuan një nga humbjet më të thella zgjedhore pas dy mandatesh qeverisëse; ende po përshtaten me lidershipin e ri; riorganizimi i partisë është një proces “në ndërtim”; zyrtarisht janë jashtë parlamentit, e brenda vetes kanë mëri të pazgjidhura të së shkuarës jo fort të largët.

Me këtë rekord aktual politik, protesta e 22 nëntorit ishte një avantazh vërtet befasues për Partinë Demokratike, e cila mbase as vetë nuk do e kishte imagjinuar në këto përmasa përgjigjen qytetare ndaj ftesës së saj. Kjo edhe sepse përballë ka një shumicë në numra kushtetues, që vazhdon të flirtojë me segmente të opozitës për interesa të tjerë numrash në Kuvend, e që sallën e parlamentit e ka krejt të vetën, si për fjalime, ashtu edhe për vendimmarrje. Mazhorancë më komode se kjo aktualja, vështirë se mund të përsëritet në historinë politike të vendit.

E megjithatë njerëzit u grumbulluan masivisht në shesh me thirrjen që u bëri Partia Demokratike. Dominimi i pankartave me kërkesa të qarta ekonomike e jo i flamurëve të PD-së, nuk ishte thjesht simbolikë, por boshti i shqetësimit të përbashkët të qytetarëve. Opozita ishte kujdesur që në protestë të dominonin shqetësimet e njerëzve, e jo flamurët e saj. E kjo u kishte hequr drojën edhe jo pak votuesve të qeverisë aktuale, për të qenë fizikisht në protestë. Shkaku është krejt i thjeshtë e i dukshëm. Lulzim Basha bëri diçka që Edi Rama kryeministër e ka hedhur pas krahëve, edhe pse ua ka premtuar qytetarëve kur ishte në opozitë: i dëgjoi njerëzit. Shpërfillja e zërit të tyre bëri që ata të dalin në shesh, e së bashku u bënë një zë më i fortë se zërat e sondazheve, apo të atyre që rrethojnë kryeministrin, frekuentues njëlloj si ai, të një perimetri të ngushtë të qendrës së Tiranës, aty ku realiteti që shpaloset jo gjithnjë është i formalizuar në regjistrat e shtetit.

Ata që dolën në shesh, e të tjerëve si ata, që i ndoqën nga ekranet televizive, nuk po i dëgjonte njeri. Thjesht iu imponuan dhunshëm e pa sqarim, ato që serviren si reforma “të dhimbshme” e të domosdoshme. Nuk janë të parat në fakt në 15 muaj qeverisje, por edhe këto pa një bilanc të shpallur. Nga aksionet e ndërmarra deri tani, cili ka qenë rezultati? Sa do rriten arkëtimet pas aksionit kundër vjedhësve të energjisë elektrike? Cili do jetë efekti final në çmimin e energjisë? Sa është rritur niveli i arkëtimeve, që ishte vetëm 60% para fillimit të aksionit kundër vjedhësve të energjisë? Sa hapësira publike janë çliruar deri tani? Cila është fatura e kostove, si për shkatërrimet, ashtu edhe për kompensimet? Çfarë rezultatesh ka sjellë rritja e gjobave për përdoruesit e rrugës? A kemi më shumë rregull në qarkullim, a më shumë të ardhura në arkën e shtetit? Si do përdoren ato të ardhura? Pas mbylljes së universiteteve e rishikimit të tarifave të studimeve e mesatares, cilat janë rezultatet e reformës? Sa është numri i studentëve të prekur, e cila është zgjidhja për ta? Këto janë pikëpyetje normale për çdo aksion, që e ka një synim kur nis dhe e di se ku do shkojë. Mungesa e këtyre sqarimeve tregon më së paku shpërfillje publike, e më së shumti, paqartësi në veprimet që ndërmerren.

E në këtë panoramë, si munden qytetarët të besojnë gjithçka që u serviret si e drejtë për qeverinë? Dilemat publike thjesht shtohen. Përse kryeministri ka frikë të pranojë se heqja e fashës së energjisë është rritje e çmimit të saj? Nëse nuk do ishte kështu, pse do ua kompensonte kategorive në nevojë? Përse vallë, kundër çdo logjike bazë vazhdon ta quajë me të madhe rritje pensioni, sasinë e parave që do u japë pensionistëve pas heqjes së fashës? Si mund të ketë “rritje” pensioni vetëm për kryefamiljarët, meqenëse vetëm ata e përfitojnë pas heqjes së fashës mbrojtëse?

Përse kryeministri e quan të panevojshme t’u sqarojë shtresës së mesme, se për se do shërbejë rritja e tatimit mbi fitimin? E kam fjalën për ata profesionistë, që nuk janë pak në këtë vend, e që bëjnë një punë të dytë e të tretë, për të siguruar të ardhura shtesë për të jetuar pak më mirë. Këto të ardhura që kryeministri vendos t’i tatojë më shumë, pa u dhënë asnjë shpjegim, por me cinizëm i krahason si “dhimbje” e përbashkët me politikanët e deputetët, që do tatohen gjithashtu. E cinizmi kalon në mungesë serioziteti kur kryeministri shpall duhanin si shkakun e prishjes së familjes, apo të sëmundjes së kancerit, e prandaj duhet rritur akciza. E njëjta logjikë për taksën e karburanteve, që po rritet për herë të dytë, pa asnjë bilanc publik, se cili ishte rezultati i rritjes së parë. Një “sukses” konkret, si rritja e çmimeve ende pa hyrë në fuqi këto taksa, nuk po merr vëmendjen e kryeministrit, mbase se në këtë rast qytetari thjesht e pëson abuzimin. Nëse qytetari do abuzonte vetë, si në rastin e energjisë, atëherë po që do e kishte vëmendjen e qeverisë, që do e burgoste pa një pa dy.

E këtu, shpërfillja i lë vendin një tjetër elementi të komunikimit publik, mungesës së sinqeritetit në marrëdhënien me qytetarin, që gradualisht po cenon atë që është themeli i kontratës sociale të një qeverie me qytetarët e vet: besimin. Besimi po humb terren, sepse në sipërmarrjen jo të lehtë të qeverisjes së vendit pas premtimeve spektakolare të fushatës, kryeministri po ka veshë vetëm për konsulentë ndërkombëtarë e miq personalë, por jo për qytetarë, e nga sa pamë në diskutimet paraprake të projektbuxhetit, as për deputetët e vet.

Ky distancim nga qytetarët në vetëm 15 muaj në qeverisje, akumulohet e bashkohet duke kapërcyer edhe kufijtë e lartë të preferencave a ideve politike, sepse gjendet kauza e përbashkët: pasiguria për të ardhmen, mes papunësisë e rritjes së taksave e çmimeve, e deri tek shqetësimi ekstrem, mbijetesa.

Sa kohë që masat shtrënguese e penalizuese për hir të rimëkëmbjes së ekonomisë që prekin shumicën dërrmuese të qytetarëve, nuk sqarohen a vendosen duke pasur parasysh qytetarin, protesta si ajo e së shtunës do vazhdojmë të shohim poshtë zyrës së kryeministrit. Më 22 nëntor, shqiptarët treguan se mund të ngrihen edhe për interesat e tyre, e jo thjesht të partive politike.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb