VORE- Kryetari i LSI-së, Ilir Meta mori pjesë në shpërndarjen e rreth 300 certifikatave legalizimi në Bashkinë e Vorës. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame, Drejtori i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Ilirjan Muho, kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për kryetar të Bashkisë Vorë, Luan Sallaku, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, deputetët Artan Gaçi e Xhemal Qefalia.

Duke folur gjatë këtij aktiviteti, Ilir Meta vuri në dukej se të gjithë janë dëshmitarë të angazhimit të jashtëzakonshëm të qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama për të ecur me shpejtësi sa i takon procesit të legalizimeve.

“Gati në më pak se 10 ditë angazhimi, mobilizimi të ALUIZNI-t, të Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekave, ne sot kemi rreth 300 legalizime dhe ky proces do të vijojë në ditët dhe në javët që vijnë edhe në Domje e Bërxull, edhe në Prezë, edhe në Gërdec, sepse interesi i ynë është që t’i japim njerëzve zgjidhje sa më të shpejtë të këtij problemi”, – shtoi Lideri i LSI-së. Ndërkaq, para se të falënderonte drejtorin e ALUIZNI-t, Artan Lame dhe Ministren e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni për angazhimin e tyre, Meta u shpreh se zgjidhja kërkon respektimin e dokumentacionit dhe se ky do të jetë një prioritet i bashkisë së re, që të ndjekë me urgjencë dhe të bashkëpunojë që ky proces të përfundojë në kohë rekord

“Natyrisht që zgjidhja kërkon edhe respektimin e dokumentacionit dhe do të jetë një prioritet, jam i bindur edhe i bashkisë së re dhe i kryetarit të ri të kësaj bashkie që të ndjekë me urgjencë dhe të bashkëpunojë fuqishëm me ALUIZNI-n, me Drejtorinë e Përgjithshme të Hipotekave në mënyrë që ky proces të përfundojë në kohë rekord dhe Bashkia e re e Vorës të jetë një shembull i shkëlqyer i legalizimit dhe më pas i fazës së dytë që është po kaq e rëndësishme për zhvillimin gjithë këtij komunitete, që është urbanizimi i kësaj bashkie të re që të jetë një bashki model sa i përket zhvillimit dhe sa i përket shërbimeve që ofron ndaj të gjithë komunitetit”, – nënvizoi Meta, duke vlerësuar më tej kontributin e institucioneve shtetërore në këtë proces. “Dua të falënderoj në veçanti ministren Eglantina Gjermeni për angazhimin e saj dhe që është sot këtu. Drejtorin e Përgjithshëm të ALUIZNI-t, Artan Lame, drejtorin e ALUZINI-t për Tiranën, dhe gjithë stafin e tij dhe ta forcojmë këtë bashkëpunim, të forcojmë edhe kapacitet këtu në Vorë për zyrën e ALUIZNI-t, në mënyrë që ne ta përfundojmë shpejt këtë proces dhe Vora të jetë shembulli më i mirë për përfundimin e legalizimit dhe për vijimin më pas me procesin e urbanizimit”, – deklaroi Kryetari i LSI-së, Ilir Meta.

Ndërsa, Drejtori i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se zona e Vorës është nga ato që ka më shumë problematika legalizimi, sepse është një zonë fushore një zonë që ka pritur jashtëzakonisht qytetarët në këto 20 vjet. “Është një zonë për fat të keq nuk janë marrë asnjëherë seriozisht dhe kjo bëri që dallga e legalizimeve, dallga e qytetarëve që prisnin nga ne në fillim të punës sonë të ishte e jashtëzakonshme. Janë mbi 7 mijë objekte që përfshin bashkia e re e Vorës që presin legalizimet. Në më tepër se 1/3 e tyre deri më tani është bërë puna nga ana e jonë për rishikimin e dosjeve, dhe vazhdon gjithë procedura tjetër më pas për dhënien e lejeve të legalizimit”, – tha Lame, teksa theksoi se kjo ka të bëjë me problematikat që kanë lindur për shkak të mospërgjigjes nga ana e bashkisë aktuale.

“Besoj se nesër, në qeverisjen e re të qytetit, do të kemi shumë punë për të bërë bashkë me Luan Sallakun për t’u koordinuar, për të marrë informacion për qytetarët që kanë probleme me legalizimin dhe për të gjithë problematikat e tjera që kanë për zonën. Një problem tjetër, i zonës së Vorës, por dhe i shumë zonave të tjerave, janë objektet e ndërtuara, pas 2009-s të cilat për shkak të një ngecje ligjore nuk mund të përfshihen në legalizim. Ky është një nga problemet që do të marrë zgjidhje nga ana jonë. Kemi hapur një zyrë të veçantë në Vorë e cila pas 2 javësh do të kthehet në drejtori që do të mbulojë Vorën dhe Kamzën. Do të kemi shumë më tepër njerëz për këtë zonë”, – deklaroi mes të tjerash, Lame.

Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni tha se vetëm disa muaj më parë ALUIZNI hapi zyrën e Vorës, që shumë shpejt do të bëhet drejtori rajonale me një vendim të Këshillit të Ministrave, që të ketë hapësirë më të madhe, staf më shumë, kapacitete më shumë që të përshpejtojnë këtë proces.
“Vetëm në një kohë të shkurtër janë bërë realisht 10 herë më shumë legalizime se sa janë bërë në 8 vitet e qeverisjes së kaluar. Kjo tregon angazhim, përkushtim të gjithë stafit dhe vërtet do të doja t’ju falënderoja të gjithë qytetarëve për bashkëpunimin shumë të mirë që keni pasur me zyrën e ALUIZNI-t, për faktin se ky është një proces i vështirë që është tërhequr zvarrë gjithë këtë kohë, por tani ka marrë rrugën e duhur. Unë them se duhet intensifikuar puna nga të gjithë ne që brenda mandatit tonë të parë qeverisë ta realizojmë angazhimin tonë që kemi marrë përsipër. Kemi marrë përsipër që të mbarojmë pjesën më të madhe të legalizimeve brenda mandatit të parë qeverisës. Pas hapjes së zyrës, puna është rritur dhe sot do të shpërndahen këto certifikata”, – u shpreh Gjermeni. Gjithashtu, Ministrja e Zhvillimit Urban shpjegoi edhe të mirat e reformës administrative-territoriale do të ketë për zonën e Vorës.

Në këtë aktivitet e mori fjalën edhe Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti i cili tha se brenda mandatit të parë synohet që të përfundohen pjesa më e madhe e legalizimit të pronave.

“Por legalizimi është më i gjerë si koncept. Pjesë e legalizimit janë dhe certifikatat e pronësisë mbi tokën. Kjo përbën angazhimin tjetër madhor tonin. Ne jemi të vendosur që të gjitha tapitë të cilat mbahen të bllokuara në komunë padrejtësisht dhe për interesat klienteliste të shkojnë në mënyrë të pandalur drejt certifikimit duke u kthyer në certifikata pronësie. Kjo do të jetë një arritje tjetër dhe një obligim i joni që krahas procesit të legalizimit, shumë shpejt me ardhjen e kryetarit të ri në krye të bashkisë do të fillojë në mënyrë masive dhe procesi i certifikimit të tokave. Pra të tapitë do të kthehen në certifikata të mirëfillta pronësie duke çliruar shumë potenciale të ndrydhura, duke hapur tregun e tokës, mund të blesh, mund ta shesësh, mund ta vendosësh si kolateral për të marr kredi. Krahas procesit të legalizimit, do të kemi edhe një arritje tjetër që është certifikata e pronësisë mbi tokën”, – deklaroi Panariti. Më tej, Kryetari i LSI-së, Ilir Meta vijoi me shpërndarjen e 300 certifikatave të legalizimit për banorët e zonës së Vorës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: