KAVAJË

Policia e Kavajës ka finalizuar një operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike duke sekuestruar 125 gram heroinë dhe arrestuar një 45-vjeçar.

Seksioni për parandalimin dhe hetimin e krimit në Komisariatin e Policisë Kavajë, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative finalizoi operacionin policor të koduar “Çiklisti”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit L. M., 45 vjeç, banues në Kavajë.

Ky shtetas gjatë momentit që po qarkullonte me biçikletë në lagjen Nr. 3 Kavajë është ndaluar nga shërbimet e Policisë dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur disa doza me heroinë. Në vijim është ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku janë gjetur doza të tjera me heroinë, një sasi lekësh e sende të tjera.

Janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale: 125 gr lëndë e dyshuar narkotike heroinë, 36 700 lekë të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, biçikletë, 2 aparate celulare, 2 karta banke dhe një peshore elektronike. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprën penale ‘’Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb