TIRANË

Një 19-vjeçar është arrestuar nga policia e Tiranës pasi është kapur me disa doza drogë gati për t’i shitur.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për kontrollin e territorit me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra nga qytetarët se një shtetas në zonën e ish-Bllokut dyshohej se shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla, kanë reaguar në kohë, në bashkëpunim edhe me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. M., 19 vjeç, banues në Tiranë.

Droge Tirane
Droge Tirane

Ky shtetas u kap në zonën e ish-Bllokut dhe gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, iu gjetën në çantën e krahut doza me lëndë narkotike, me peshë 26.4 gramë, gati për shpërndarje.

Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.

Policia falënderon qytetarët për besimin dhe bashkëpunimin dhe i fton sërish të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital çdo rast të paligjshmërisë, duke u garantuar anonimat të plotë dhe reagim në kohë e të paanshëm.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb