Në jug të vendit, lumenjtë Osum, Vjosë, Devoll, Gjanicë, që kanë dalë nga shtretërit e tyre për shkak të reshjeve të shumta, kanë krijuar një situatë alarmante me përmbytje, rrëshqitje dheu dhe defekte në rrjetin e energjisë elektrike. Pothuajse gjatë gjithë ditës ka patur reshje të dendura shiu, çka e ka vështirësuar më shumë situatën duke rritur edhe bilancin e banesave dhe zonave të përmbytura. Për shkak të fryrjes dhe daljes nga shtrati të lumit Shkumbin disa shtëpi janë përfshirë nga uji në Librazhd, ndërkohë që është dëmtuar shumë ura e vjetër që lidh Elbasanin me Cërrikun. Në Novoselë, Vjosa ka dalë jashtë kontrollit, duke sjellë përmbytjen e 300 banesave. Pasojat janë duke i vuajtur edhe disa rrethe të vendit, ku Shtabet e Emergjencave po koordinohen për evakuimin e qindrave banorëve. Në orën 17:30, Policia e Shteti i bëri thirrje qytetarëve të mos kalojnë në aksin Levan-Tepelenë dhe se qarkullimi për në jug të vendit do të bëhet nga rruga e vjetër Ballsh-Tepelenë.

GJIROKASTËR, PËRMBYTJE NGA LUMI I KARDHIQIT DHE LUMI DRINOS, DISA ZONA PA ENERGJI

Ora 20:40- Lumi i Kardhiqit në Gjirokastër ka dëmtuar disa biznese të peshkut për shkak të daljes nga shtrati, ndërkohë që janë dëmtuar tokat bujqësore në fshatin Plesat. Probleme nga përmbytjet janë raportuar edhe në fshatin Zhulat. Ndërkaq fryrja e lumit Drino ka sjellë probleme në Palokastër, Mashkullor, ndërsa mësohet se disa zona në Gjirokastër janë pa energji elektrike.

LESKAJ NË NOVOSELË:JANË EVAKUUAR 18 FAMILJE

Ora 20:11- Deputetja e Partisë Socialiste Valentina Leskaj ka parë nga afër gjendjen e krijuar nga dalja e lumit Vjosë nga shtrati në komunën e Novoselës. Leskaj është takuar me Shtabin e Emergjencës ku është njohur me situatën si dhe masat e marra. Ndërkohë deputetja Leskaj ka njoftuar për hapjen e repartit të Bunavisë në Vlorë, në mënyrë që tu vihet në ndihmë zonave të përmbytura. “Shtabi i Emergjencës po funksionon. Ndërkohë Ministria e Mbrojtjes ka hapur repartin ushtarak të Bunavisë. Kemi garantuar vendin për personat e evakuuar ndërsa deri tani janë evakuuar 18 familje. Lajmi i mirë është se në Tepelenë ka rënie të nivelit të ujit. Duhet të kalojnë 7-8 orë që kjo rënie të japë rezultat në Novoselë. Ndërkohë që në disa zona ka mungesë të energjisë elektrike”, tha Leskaj.

NOVOSELË, 300 FAMILJE NËN UJË, KRYEKOMUNARI: VJOSA JASHTË KONTROLLIT

Ora 19:39- Pothuajse të gjitha fshatrat e komunës Novoselë janë paralizuar si pasojë e përmbytjes dhe reshjeve të vazhdueshme e të dendura të shiut. Nga të dhënat pranë Shtabit të Emergjencave në Prefekturën e Vlorës mësohet se 300 familje janë nën ujë. Kreu i komunës Novoselë Kenan Shakaj tha për News24 se deri tani nuk ka njoftime për banorë që janë në rrezik. Shakaj tha se momentalisht situata paraqitet tepër e vështirë, pasi lumi Vjosa ka dalë jashtë kontrollit. Ai tha se në terren ndodhen edhe forcat e ushtrisë, për monitorimin e situatës.

DËMTOHET URA E VJETËR MBI SHKUMBIN

Ora 19:30- Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar dëmtimin e urës së vjetër mbi lumin Shkumbin. Sipas të dhënave ura që lidh Elbasanin me Cërrikun ka pësuar dëme të mëdha duke e bërë tepër të rrezikshëm qarkullimin jo vetëm të mjeteve por edhe të këmbësorëve. Ndërkohë që mësohet se për shkak të përmbytjeve dhe fryrjes së Shkumbinit, rrezikohet të dëmtohet edhe ura e re.

FORCAT E ARMATOSURA: NË GATISHMËRI, KEMI EVAKUUAR DHJETËRA BANORË

Ora 18:50- Forcat e Armatosura shqiptare vijojnë të jenë në terren për të ndihmuar në situatën e krijuar nga përmbytjet, sidomos në jug të vendit.

Kështu mësohet se përfaqësues të Batalionit të Poshnjës që prej mëngjesit po koordinojnë punën me institucionet vendore në Qarkun e Beratit. Deri tani janë evakuuar dhjetëra familje nga ana e FA-ve në Berat. Po kështu mësohet se drejt Vlorës janë nisur trupa, motobarka e gomone, për të ndihmuar në evakuimin e banorëve dhe kafshëve. Forcat e Armatosura kanë marrë të gjitha masat dhe janë në gatishmëri.

Ora 16:29- Policia: Në lidhje me situatën e krijuar si pasojë e motit të keq, deri  në orën 16.00, kemi këtë situatë të akseve rrugore  si më poshtë vijon:

Në qarkun Gjirokastër:Të gjitha akset rrugore nacionale janë të kalueshme. Niveli i lumit Drino po bie. Në aksin rrugor Gjirokastër- Lunxhëri lejohet qarkullimi i fuoristradave dhe fugonëve, ndërsa makinat e vogla për momentin nuk kalojnë dot. Ndërsa  aksi rrugor Libohovë-Sofratikë është plotësisht i kalueshëm. Ne Memaliaj tek Rrapet e Memaliaj, në lokalin e quajtur “1 Maji”, roja i lokalit që ishte i bllokuar  nga prurjet e mëdha të lumit Vjosë është evakuuar me helikopter.

Në Përmet, aksi rrugor Përmet-Çarshovë , si dhe Aksi Rrugor Tepelenë-Përmet janë të kalueshëm tashmë pasi niveli i ujit të lumit Vjosë  ka rënë.

Në qarkun Berat: Të gjitha rrugët nacionale tashmë janë të kalueshme pasi niveli i ujit ka rënë.

Në qarkun Vlorë: Aksi Selenicë-Vlorë në vendin e quajtur bishti i malit është ende  i bllokuar nga prurjet e lumit Vjosë.

Ndërsa akset e tjera rrugore në këtë qark janë të kalueshme.

Në qarkun Fier: Ne aksin Levan-Tepelenë në vendin e quajtur Ferma e Romsit ka filluar të futet uji  në autostradë por pa krijuar bllokim të aksit.  Policia rrugore ka marrë masa duke ndihmuar qarkullimin me një sens të lëvizjes në atë segment ku është prezent uji në rrugë. Një banor që kishte mbetur i bllokuar në një pikë inertesh në Çerven të rrethit Fier është evakuuar nga Policia me gomone.

Në qarkun Elbasan: Aksi rrugor Cërrik-Gramsh është i bllokuar në fshatin Banjë, pasi lumi ka dalë mbi urë. Qarkullimi vijon nga rruga e llixhave. Aksi rrugor Tiranë-Elbasan, në fshatin Ibë vijon të jetë i bllokuar.

Për shkak të situatës së krijuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit vijon të funksionojë Shtabi i Emergjencës.

cerrik 8cerrik 2

(foto: Permbytjet ne Cerrik)

Në ndihmë të banorëve në zonat e rrezikuara  nga prurjet e mëdha të lumenjve e përrenjve janë angazhuar të gjitha forcat e Lëvizshme  Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit , si dhe kanë kaluar në gatishmëri të plotë, efektivat e Policisë në Drejtoritë e Policisë së Qarkut Gjirokastër, Fier, Vlorë e Berat.

Që prej mëngjesit , Forcat e policisë po vijojnë evakuimin e disa familjeve në Novoselë dhe në Fitore  të rrethit Vlorë,  në disa fshatra të rrethit  Fier  konkretisht në Feras, Çerven, Frakull, Kashisht, Selisht, Tojk, Varibop, si  e në Urën Vajgurore në Berat.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e të gjithë drejtuesve të mjeteve për të zbatuar kërkesat ligjore, të bashkëpunojnë me patrullat e policisë rrugore dhe asaj të rendit  në territor për të bërë të mundur evitimin e bllokimeve  dhe normalizimin e situatës me qëllim shmangien e ngjarjeve aksidentale.

Ora 14:00- Situata nga përmbytjet

LIBRAZHD – Rreth orës 11:50 mësohet se lumi Shkumbin ka shpërthyer argjinaturën dhe ka përmbytur shumë shtëpi në lagjen Sharrë dhe Detashment. Probleme të mëdha janë krijuar edhe në Prrenjas.

VLORE – Sipas Policisë, deri në orën 11:00, Forcat Speciale kanë evakuuar 14 familje në zonën e Novoselës në fshatin Fitore. Aksi Selenicë – Vlorë në vendin e quajtur Bishti i Malit është i bllokuar nga prurjet e mëdha të lumit Vjosë. Aksi rrugor që të çon në komunën Vllahinë është i bllokuar nga rrëshqitjet e dheut. Fryrja e lumit Vjosë duket se nuk do të mbajë gjatë pa shpërthyer, madje në disa zona ka nisur të derdhet. Prefektura është duke hedhur thasë me rërë atje ku rreziku është më madh, pasi pritet të shtohen prurjet e ujit. 18 shtëpi në fshatin Novoselë janë nën ujë për shkak të shkak të reshjeve intensive dhe prurjeve. Po ashtu, të bllokuar janë fshatrat Bishan dhe Poro. Gazetari Enrik Mehmeti njoftoi në orën 9:37 se në Novoselë, Vjosa ka dalë nga shtrati dhe ka përmbytur 18 banesa. Rrugët drejt disa fshatrave nu është e mundur të kalohet. Banorët janë evakuar, pavarësisht se ka 2-3 familje që nuk kanë pranuar të evakuohen për shkak të vjedhjeve. lumi Vjosë po avancon dhe pritet që në orët në vazhdim edhe banesa të tjera të përfshihen. Përsa i përket bujqësië, e tërë zona e Selenicës deri në Novoselë është dëmtuar shumë. Përsa i përket situatës meteorologjike, ka një lloj përmirësimi, por nuk ka ndikim pozitiv, sepse prurjet e ujit janë të mëdha dhe priten vërshime të tjera.

FIER – Në Qarkun Fier, sipas Policisë, deri në orën 11:00, si pasojë e prurjeve të mëdha të Gjanicës në dy lagje të qytetit Fier, në lagjen 1 Maj dhe Sheq, në rreth 150 banesa e biznese është futur uji brenda. Në komunën Cakran ka përmbytje të tokave. Në fshatin Çerven të komunës Frakull janë përmbytur 6 banesa, ku banorët janë evakuuar nga Policia si dhe janë dhe rreth 50 banesa të tjera të rrethuara nga uji. Policia dhe grupi i emergjencave po bëjnë evakuimin e banorëve dhë të gjësë së gjallë. Në fshatin Feras të komunës Levan, në rreth 50 banesa po hyn uji brenda dhe forcat e Policisë po evakuojnë banorët dhe gjënë e gjallë. Gazetari Agron Llupi njoftoi në 9:40 se lumi Gjanica e ka vështirësuar shumë situatën. shumë fshatra janë përmbytur. Rreth 60 njesi e 70 banesa në lagjen “Konferenca e Pezës” dhe lagjet e tjera përreth lumit janë mbytur deri në 1 m nga uji, kurse banorët janë ngjitur në katet e dyta të shtëpive, duke pritur shpëtimin, pasi me këmbë ëhstë e pamundur të largohesh nga zona. Dëmet janë të konsiderueshme në të gjitha drejtimet.

BERAT – Lumi Osum ka përmbytur 30 shtëpi në Urën Vajgurore dhe po kërcënon disa lagje edhe të Beratit, ndaj forcat e ushtrisë dhe zjarrfikësit kanë nisur sot në orën 9:00 të evakuojnë menjëhërë banorët nga shtëpitë e tyre. Sipas Policisë, në orën 11:00, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Osum ka përmbytje te tokave. Rruga e Skraparit midis Bogoves e Pronovikut është e bllokuar nga rrëshqitjet e dheut. Në qytetin e Skraparit është e pakalueshme Ura e Pazarit, që lidh 6 fshatra, pasi uji ka dalë mbi urë. Në Urën Vajgurore, dy familje janë evakuuar nga forcat speciale me varka.

MEMALIAJ – Situatë e rënduar paraqitet në Memaliaj, ku lumi Vjosa ka dalë nga shtrati dhe ka “pushtuar” të gjitha banesat përreth lumit. Në orën 8:25 u njoftua se një person ka mbetur i bllokuar nga uji që dje në lokalin “1 Maji”, Fatos Fernuzi. Për shpëtimin e tij është kërkuar ndërhyrja e zjarrfikësve, por ka qënë e pamundur dhe tashmë pritet ardhja e një helikopteri.

TEPELENE – Ora 8:15 Dalja e lumit Vjosë nga shtrati ka krijuar një situatë të rrezikshme në qytetin e Tepelenës. Nënprefekti i Tepelenës ka urdhëru banorët e lagjes “Gurrë” të lënë shtëpitë sepse përmbytja tani mund të ketë pasoja në jetët e tyre, jo vetëm për shtëpitë. Në fshatin Dragot, përmbytja është evidente. Rrugët drejt Përmetit janë të bllokuara. Sipas Policisë, në orën 11:00, aksi rrugor Përmet Çarshovë është i bllokuar në vendin e quajtur Badlonjë pasi lumi Vjosë ka dalë rreth dy metra në rrugë. Edhe aksi Rrugor Tepelenë – Përmet është i bllokuar në vendin e quajtur Dragot.

permbytjeTepelene

GJIROKASTER – Gjirokastra është gdhirë sot pa energji elektrike, pasi shiu që nuk ka pushuar gjatë gjithë natës me të njejtin intensitet, ka përmbytur edhe nënstacionin elektrik të qytetit. Në Gjirokastër uji ka vërshuar në shumë lagje dhe në shtëpi, si në Dunavat, Gërhot apo “11 Janari”. Policia njoftoi në orën 11:00 se në Qarkun Gjirokastër, akset rrugore nacionale janë të kalueshme për momentin. Rrezikohet dalja e ujit në rrugë në vendin e quajtir Kthesa e Viroit në hyrje të qytetit. Si pasojë e daljes së lumit Drinio nga shtrati është bllokuar aksi rrugor rural Gjirokastër Lunxhëri si dhe është bllokuar aksi rrugor Libohovë –Sofratikë.

PermetDervician

GRAMSH – Në orët e para të ditës së sotme, reshjet e shumta dhe prurjet e lumit Devoll kanë përmbytur urën e Shushicës. Nga përmbytja, aksi Gramsh – Elbasan është bërë i pakalueshëm, shtuar edhe rrëshkitjet masive të dheut. probleme të mëdha hasen edhe në rrugën Gramsh – Kodovjat dhe në komunën Sult. Shembja e parë e dheut në Gramsh u regjistruan të premten, menjëherë pas fillimit të reshjeve të dendura, në aksin Gramsh – Elbasan, në afërsi të fshatit Shelcë.

ARRSH: KALUESHMERIA E RRUGEVE SIPAS RAJONEVE

Drejtoria e Rajonit Jugor Gjirokastër
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Në Korçë, Dardhë dhe Voskopojë ka reshje dëbore, është hedhur kripë dhe nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Po pastrohen gurët dhe dhera të rëna nga shpatet. Aksi Përmet-Korçë i bllokuar në vendin e quajtur Rredhi i Badelonjës si rezultat i daljes së lumit Vjosë nga shtrati. Në aksin Ura e Leklit – Përmet, në km 5, si rezultat i daljes së lumit, mjetet e vogla nuk qarkullojnë. Në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet, në vendin e quajtur Rrapi i Kuqarit, ka shkarje masive të skarpateve; rruga është e kalueshme me një korsi. Tek ura e Viroit si rezultat i daljes së ujërave të liqenit nga shtrati, kalimi i mjeteve bëhet me vështirësi .

Drejtoria e Rajonit Qendror Tiranë
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij rajoni, me përjashtim të rrëshqitjes së Gjinarit, e cila mbetet e bllokuar për shkak të cedimit për më shumë se 1 km të trupit të rrugës në fshatin Shelcan dhe në aksin rrugor Cerrik-Banjë-Gramsh, i bllokuar për shkak të daljes së lumit Devoll, qarkullimi bëhet nëpërmjet aksit Gramsh-Q.Kacivel-Elbasan. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij rajoni. Gjinari është në monitorim dhe po punohet për të rregulluar sa me shpejt këtë situatë.

Drejtoria e Rajonit Verior Shkodër
Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve. Kanë filluar reshjet e borës por deri në këto momente, qarkullimi kryhet normalisht, kalohet me zinxhirë në segmentetAras-Q.Draje-K.Domaj,Dragalice-Stebleve,Kala e Dodes-Vasije. Ka rënie të masivit shkëmbor në aksin Q.Bualli-U.Topojanit ne afërsi te Zerqanit. Nuk ka probleme për qarkullimin e mjeteve në akset e këtij Rajoni,te qarkullohetme kujdes per arsye te reshjeve te dendura te debores.

(m.k/ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb