Joan Laporta, presidenti i Barcelonës, ishte i papërmbajtshëm në konferencë për shtyp duke lëshuar akuza të forta, ku sipas tij ka pasur persona që kanë punuar kundër klubit, me objektiv për ta fundosur, por në fund dështuan, pasi ai së bashku me stafin e tij arritën të regjistronin dy lojtarët, Dani Olmo dhe Pau Victor. Në të njëjtën kohë, ekipi u përgjigj edhe në fushë në mënyrë të shkëlqyer duke i dhuruar një leksion futbolli Realit në finalen e Superkupës së Spanjës:

“Jemi rikthyer në modelin 1-1, pra mund të regjistrojmë lojtarë normalisht. Për t’ia arritur kësaj kemi firmosur një kontratë me Nike, kontrata më e mirë sportive që është firmosur ndonjë herë në historinë e futbollit. Kjo mohon zërat që flasin se klubi ka një imazh dhe një menaxhim të keq. Të gjithë njerëzit e kuptuan se ky ishte një sulm ndaj stemës, ndaj klubit”,  u shpreh ndër të tjera Laporta.

  • foto galeri
  • foto galeri

Fjalët e presidentit të Barcelonës “pushtuan” faqet e para të mediave spanjolle: “U përpoqën të na likuidonin”, ishte titulli kryesor i Sport. Triumfi i Laportës dhe suksesi i ekipit në “El Clasico” ka sjell një atmosferë pozitive në shtëpinë e Barcelonës.

Një meritë të padiskutuar për këtë ka edhe trajneri Hansi Flick, i cili u ngacmua nga mediat nëse ka diskutuar me drejtuesit e klubit për rinovimin e kontratës: “Nuk e kam menduar fare, sepse unë e di që në futboll gjërat ndryshojnë shumë shpejt. Në fund të sezonit do të shohim. Unë kam dhe një vit e gjysmë kontratë dhe ndihem shumë mirë këtu, kjo është e vetmja gjë që mund të them për momentin”, u shpreh Flick, i cili ndër të tjera shtoi se nuk pret dhurata nga merkato e janarit, është i kënaqur me grupin që ka në dispozicion.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: