Teksa ka paralajmëruar se së shpejti po afron dita e referendumit, duke i thënë klasës politike të mos guxojë të përdhosë Kushtetutën, Presidenti Ilir Meta ka përcjellë dhe një mesazh të koduar dhe të fortë, teksa është shprehur se Parlamenti shpërndahet me një dekret, ndërsa qeveria rrëzohet me një mocion mosbesim.


Por, sipas Metës, Presidenti shkarkohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Meta është shprehur për gazetarët se do ua bëjë të qartë të gjithëve se Kushtetuta mbron popullin shqiptar dhe do jetë detyra e tij t’i tregojë vendin kësaj bande.


“Parlamenti me një dekret shpërndahet, qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet, presidenti shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale, do ia bëj të qartë se kjo është Kushtetutë që mbron popullin e Shqipërisë dhe do jetë detyra ime qo t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore dhe gjithë shërbëtorëve.


Besoj se jam i qartë, secili të shikojë detyrën e vet, të zbatojë kompetencat e veta. Veprimet do vazhdojnë të jenë nga presidenti institucionale. Në momentin e duhur”, ka deklaruar Kreu i Shtetit.

Pyetje: Mirëmëngjes zoti President! Sot në Gjykatën Kushtetuese është paraqitur, si anëtarja që ka marrë dekretin tuaj, ashtu edhe ajo që është betuar përpara noterit. A keni një koment se si do të zgjidhet kjo krizë?

Presidenti Meta: Është tërësisht e zgjidhur. Për të gjithë ata që dinë të lexojnë Kushtetutën dhe meqenëse po afron 22 nëntori, dita kur populli shqiptar votoi me referendum Kushtetutën, dhe këto parime të Kushtetutës që janë edhe sot të sanksionuara, pavarësisht nga deformimet e pandershme që janë bërë me pabesi ndaj popullit shqiptar gjatë këtyre 21 viteve, kam një paralajmërim të fundit për të gjithë ata, të cilët mendojnë se betimi i Ilir Metës me dorën mbi Kushtetutë si President i Republikës së Shqipërisë, ka qenë një proces formal apo ceremonial:

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, ka vetëm një garant të padiskutueshëm dhe të pacenueshëm në integritetin e vet, që është Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë!

Përpjekjet për të dhunuar Kushtetutën, për të kapur përfundimisht të gjithë sistemin e drejtësisë në Republikën e Shqipërisë me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, janë të dështuara, janë të vdekura!

Askush të mos guxojë të përdhosë Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë!

Është institucioni më i rëndësishëm i këtij vendi.

Parlamenti me një dekret shpërndahet!

Qeveria me një mocion mosbesimi rrëzohet!

Presidenti, me një “impeachment” nga një parlament, jo nga ky, përsëri shkarkohet nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë.

E nëse dikush mendon se angazhimet e mia kanë qenë ceremoniale, do t’i bëj të qartë se në fund fare kjo është Kushtetutë që mbron popullin e Shqipërisë, dhe do të jetë detyrë e Presidentit të Shqipërisë dhe e popullit të Shqipërisë që t’i tregojnë vendin kësaj bande uzurpatore dhe të gjithë shërbëtorëve e skllevërve të tyre, kudo ku janë.

Pyetje: Zoti President, a do të arrihet (a keni kompetencë) deri aty për të shpërndarë Parlamentin apo jo?

Presidenti Meta: Besoj se jam shumë i qartë. Secili të shikojë detyrën e vet, të zbatojë kompetencat e veta! Veprimet nga Presidenti do të vazhdojnë të jenë institucionale. Dhe në momentin e duhur Presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë për interesin e popullit shqiptar, që është dhunuar në mënyrën më barbare, sidomos në këto dy vite kur u la qëllimisht edhe pa Gjykatë Kushtetuese.

Ju faleminderit dhe i uroj edhe një herë punë të mbarë gjithë anëtarëve më të rinj të Gjykatës Kushtetuese!

(d.ç./BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb