TIRANË- Ndërsa prej 17 ditësh kemi hyrë në vitin mbarëkombëtar të Skënderbeut të shpallur nga qeveria e kryeministrit Edi Rama, historiani dhe studiuesi Auron Tare ka bërë një apel të fortë në lidhje me Krujën, qytetin e heroit kombëtar.

Tare duket se nuk është dakord me gjithë këtë bujë dhe debat për figurën e Skënderbeut kur siç thotë ai nuk i respektojmë trashëgiminë.

Ai flet për gurore, pyje të prera, pallate në vend të vreshtave, pazarin e prishur të Krujës dhe kalanë me lokale. Ai këshillon ta lëmë Skënderbeun rehat atje ku është dhe të reflektojmë për atë çfarë i ka ndodhur Krujës.

STATUSI I AURON TARES
Kam një javë që kudo që e kthej TV shikoj debate të ethshme për Skënderbenë. Debate pa fund, shpjegime, të reja, të vjetra fakte etj. Do ketë ekspozita, ceremoni mbjellje pemësh për Skënderbenë, libra, forume, dokumentare etj etj. DMTH autobusi i famshëm i Kuçit këtë herë ka marrë brenda specialistët e Skënderbeut.

Hem, ore njerëz, në vend që të ulim kokën të na vijë turp për atë që i kemi bërë Krujës nuk lëmë televizorë pa dalë për të folur për Skënderbenë. Po ç’duam ne me Skënderbenë?

Skënderbenë e duan ata njerëz që ia mbrojnë, ja respektojnë trashëgiminë kulturore të tij. Brezi ynë dhe ai që po vjen pas ia bëri malet e Krujës gurore, ia preu pyjet dhe vreshtat duke i bere pallate, ja prishi pazarin e bukur të Krujës dhe e mbushi kalanë me lokale. Kushdo që vjen me avion në Tiranë habitet nga shkatërrimi i peizazhit të Krujës, nga fabrikat e çimentos dhe furrat e gëlqeres. Në një vend tjetër Kruja do ishte një qendër e rëndësishme pelegrinazhi botëror për madhështinë dhe historinë e lavdishme mesjetare. Lëreni Skënderbenë atje ku është në parajsë se edhe atij i vjen turp për atë që ne pasardhësit i bëmë qytetit të cilin ai e mbrojti me shpatë në dorë.

Tare fb

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb