Nga shpërthimi në një minierë të qymyrit në rajonin Luhansk të Ukrainës, kanë humbur jetën të paktën 17 persona. Liderët separatistë që kontrollojnë minierën, thanë se të gjithë trupat e minatorëve të zhdukur janë gjetur.

Miniera ku ka ndodhur incidenti gjendet në fshatin Yurivka, që ndodhet në territorin e kontrolluar nga separatistët që mbështeten nga Rusia.

Ministria e Emergjencave të Rusisë tha se ka dërguar ekipe të shpëtimit për në minierën Skhidcarbon, me kërkesë të liderëve separatistë të cilët kontrollojnë minierën. Ndërkaq, punëtorët e shpëtimit nga Qeveria ukrainase nuk kanë pasur qasje zyrtare për të shkuar në këtë minierë.

Një shpërthim i gazit të metanit ka kapluar këtë minierë më 25 prill dhe raportohet se ka shkaktuar kolapsimin e disa pjesëve të minierës. Miniera Skhidcarbon ishte mbyllur më 2014 si pasojë e luftimeve ndërmjet forcave të Qeverisë ukrainase dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia. Por, kjo minierë u rihap më 2018./REL

BalkanWeb

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb