TIRANE – Ndërtohet identikiti i personit që dyshohet se ka vendosur bombën në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm mëngjesin e së martës së kësaj jave. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë, se ekspertët më të mirë shqiptarë janë duke përfunduar identikitin e autorit të dyshuar për dy atentatet me tritol që mëngjesin e së martës kishin në shënjestër familjen e ministrit Saimir Tahiri.
Të njëjtat burime shtojnë, se pas verifikimit të pamjeve filmike, ku shfaqet një person me biçikletë, i cili vendos sasinë e tritolit në farmacinë e Bashkim Tahirit dhe më pas i njëjti person duket edhe te kryqëzimi i “Vasil Shantos”, ku policia gjeti një pako me lëndë shpërthyese pranë shtëpisë së babait të ministrit të Brendshëm, ekspertët më të mirë të policisë kanë nisur punën për krijimin e identikitit të personit.
Mësohet se specialistët kanë krijuar një identikit të përafërt, i cili mund t’i çojë tek autori i dy shpërthimeve me tritol. Madje, ekspertët e grupit hetimor sqarojnë se, në rast se do jetë e nevojshme, ata do të kërkojnë edhe ndihmën e ekspertëve të huaj për këtë rast. Nga të njëjtat burime shtohet se prej ditës së martë, njësitë antiterror kanë kaluar në plan të parë në vend dhe në gatishmëri të plotë për parandalimin e ngjarjeve të tjera kriminale. Burime brenda policisë, sqarojnë se ka nisur bashkëpunimi edhe me policitë e shteteve fqinje për shkëmbimin e eksperiencave të ngjashme.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb