SHKODER – Kryeprokurori Adriatik Llalla deklaron se shumë shpejt do të ketë rezultate konkrete për shpërthimet e tritolit në kryeqytet.
“Prokuroria shqiptare, për të gjithë ngjarjet e fundit që kanë ndodhur në vend, ka filluar dhe po vijon hetimet në bashkëpunim me të gjitha strukturat e tjera shtetërore, Policinë e Shtetit, SHISH, dhe besojmë se shumë shpejt do të kemi dhe të dhëna konkrete për ngjarjet që kanë shqetësuar dhe kanë tronditur vendin.”- deklaroi kryeprokurori.
Nga Shkodra, ku mori pjesë në inaugurimin e godinës së re të Prokurorisë së Apelit, Llalla për herë të zbuloi dhe listën e familjeve të ngujuara, ku në mënyrë zyrtare llogariten 25 të tilla në qarkun e Shkodrës.
“Në përfundim rezultoi se nga shifrat, të ngujuara ndodhen vetëm 25 familje me rreth 30 persona të ngujuar. Në bashkëpunim me autoritetet e huaja, tashmë i kemi evidentuar këto raste me synim për t’i ndërprerë rrugën fenomenit të azilkërkuesve të rremë.”- u shpreh Llalla.
Ndërsa, ambasadori britanik Nicholas Cannon sheh me shqetësim thirrjet xhihadiste në Shqipëri, që sipas tij, kohët e fundit kanë lëkundur harmoninë fetare, gjë për të cilën ky vend është vlerësuar ndërkombëtarisht.
Nga ana e tij, kreu i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori kërkoi një ridimensionim të institucionit të prokurorisë.
“Mendoj që duhet të rritet pesha, roli, funksionet, në radhë të parë të prokurorit të përgjithshëm, në mënyrë që të mund të veprohet me më shumë operativitet, në këndvështrimin strukturor, të kompetencave, të vendimmarrjes.”- deklaroi Zaganjori.
(er.nu/news24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: