Oftalmologu Elias Warrak tregon se si brenda një nate ai kishte operuar më shumë sy se sa kishte bërë në të gjithë karrierën e tij.

“Doja të shpëtoja të paktën njërin sy të viktimave (për të shpëtuar shikimin e tyre) dhe në disa raste nuk mundesha, më duhej t’i hiqja të dy sytë sepse municionet kishin hyrë drejt e në thellë në sy”, rrëfen profesori, i cili ka trajtuar të plagosurit pas shpërthimit të biperave që përdoren nga milicia e Hezbollah.

Nga zyra e tij në Bejrut, Dr Warrak duket i qetë, por edhe shumë i trishtuar, teksa reflekton për atë që ka ndodhur dhe çfarë ka parë.

“Ishte shumë e vështirë. Shumica e pacientëve ishin të rinj në të 20-at dhe në disa raste më duhej t’i hiqja të dy sytë. Gjatë gjithë jetës sime nuk kisha parë skena të ngjashme me atë që pashë dje”, shton ai.

Numri i njerëzve të vrarë nga shpërthimet e pajisjes që goditën Libanin të mërkurën është rritur në 25, tha ministri i shëndetësisë i Libanit.

Duke folur në një konferencë për shtyp të enjten, Firass Abiad dha gjithashtu një përditësim mbi numrin e njerëzve të plagosur në shpërthimet e së mërkurës. Të paktën 608 persona janë plagosur, thotë ai, që është më shumë nga vlerësimi i mëparshëm prej 450.

Numri i të vdekurve gjatë të dy ditëve tani është 37, pasi të paktën 12 njerëz u vranë si rezultat i shpërthimeve të biperave gjatë të martës.

Kryeministri i Libanit po i bën thirrje OKB-së që të “marr një qëndrim të vendosur” kundër Izraelit, pasi raportet e shumta thanë se agjencia e saj e spiunazhit – Mossad – qëndronte pas shpërthimeve vdekjeprurëse të kësaj jave.

Najib Mikati thotë në një deklaratë se parandalimi i agresionit izraelit nuk është vetëm për të mirën e Libanit, por “njerëzimit në tërësi”, pasi ai akuzon vendin për “luftë teknologjike”.

Izraeli nuk ka komentuar drejtpërdrejt mbi sulmet ndaj radiove dhe biperave.

Sulmet e kësaj jave në Liban përfaqësojnë një goditje të madhe për Hezbollahun, pasi tregon një shkelje masive në sistemet e tij të komunikimit – diçka jashtëzakonisht e rëndësishme për operacionet e tyre ushtarake.

Por, ajo që ndodhi ka qenë gjithashtu tejet e frikshme për të gjithë brenda dhe jashtë vendit pasi pajisjet e komunikimit papritmas duket se janë kthyer në bomba.

Edhe pse Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për asnjërin nga sulmet, ekziston dyshimi se është Izraeli ai që i kreu të dy sulmet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb