TIRANË

Nuk ka mundur të mbijetojë pas plagëve të marra nga shpërthimi që ndodhi më 15 korrik në zonën e Bllokut, pronarja e argjendarisë. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se 43-vjeçarja Alma Pirra ka ndërruar jetë të mërkurën në QSUT. Ajo mbeti e plagosur rëndë pas shpërthimit të një bombole gazi në zonën e Bllokut, në Tiranë, në rrugën “Vaso Pasha”.
Në bodrumin ku kryheshin punimet për riparimin e bizhuterive, janë gjetur dy bombola të mbushura.

Sipas Inspektoratit Shtetëror Teknik Industrial, njëra prej bombolave ishte e mbushur me gazin propan, ndërsa tjetra me gazin kriogjen, i cili quhet ndryshe gaz teknik. Bombola e gazit kriogjen është gjetur me valvul të hapur dhe dyshohet se ka pasur rrjedhje në tubin përcjellës mes bombolës dhe pajisjes, me të cilën punohej.

Në raportin paraprak të përpiluar nga ekspertët zjarrfikës, ngjarja ka ndodhur për shkak të një pakujdesie njerëzore.
Nga tejngopja e ajrit me gaz në prani të një shkëndije në bodrum ka ndodhur shpërthimi, i cili ka shkatërruar plotësisht argjendarinë dhe dyqanin ngjitur. Nga forca shpërthyese është shkatërruar muri lidhës mes dy subjekteve tregtare, si dhe paneli i betonit në pjesën e tavanit. Si pasojë e shpërthimit janë dëmtuar edhe 4 automjete të parkuara afër vendit të ngjarjes.
Kujtojmë, që nga shpërthimi i fuqishëm kanë mbetur të plagosur edhe katër persona të tjerë.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb