Shumë do të pyesin pse anëtarët e Hezbollahut vazhdojnë të përdorin pajisjet “pager” për komunikim, në vend të telefonave celularë, në vitin 2024. Metoda tradicionale e komunikimit ishte dukshëm më e preferuara e grupit, pikërisht për faktin se nuk ishte teknologjia më e fundit. Kjo sepse, këto pajisje janë të papërgjueshme dhe të pagjurmueshme, në dukje.

Udhëheqësi i Hezbollahut, Hassan Nasrallah më parë i paralajmëroi anëtarët e grupit që të mos mbanin telefona celularë, sepse Izraeli mund t’i përdorte për të gjurmuar lëvizjet e tyre.

Nga ana tjetër, ‘pagers’, në teori, nuk paraqesin një problem të tillë.

Korrespondenti i Sky News për Lindjen e Mesme, Alistair Bunkall shton se “Hezbollahu ka qenë shumë i kujdesshëm me komunikimet e tij, i vetëdijshëm se bisedat e telefonave celularë mund të hakohen dhe gjurmohen lehtësisht – ndërsa pagers do të ishin konsideruar si një alternativë edhe më e vështirë për t’u depërtuar”.

Pagers
Pagers

Ndryshe, ministria libaneze e Shëndetësisë ka konfirmuar se deri më tani kanë vdekur tetë persona ndërsa numri mund të rritet. Ndërsa rreth 3 mijë persona kanë mbetur të plagosur nga shpërthimi i mijëra pajisjeve në Liban.

Çfarë janë pajisjet “pager”?
Një pajisje “pager” njihet gjithashtu edhe si sinjalizues. Janë pajisje komunikacioni me valë që merr dhe shfaq mesazhe alfanumerike ose zanore. Disa pajisje shërbejnë vetëm për të marrë mesazhe, ndërsa “pagers”-at e tjerë marrin por edhe përcjellin, t’u përgjigjen thirrjeve dhe të dërgojnë mesazhe duke përdorur një transmetues të brendshëm.

Pagers u zhvilluan në vitet 1950 dhe 1960 dhe u përdorën gjerësisht nga vitet 1980 deri në fund të viteve 1990 dhe në fillim të viteve 2000. Më vonë, në shekullin e 21-të erdhën celularët dhe smartphone-t me aftësi të theksuar për mesazhet me teks, duke bërë që të zvogëlohet ndjeshëm industria për “pager”. Megjithatë, “pagerët” vazhdojnë të përdoren nga disa shërbime të urgjencës dhe personeli i sigurisë publike, sepse mbivendosja e mbulimit të sistemeve moderne të pagerit e kombinuar me përdorimin e komunikimeve satelitore, mund t’i bëjë sistemet pager më të besueshme sesa rrjetet selulare me bazë tokësore në disa raste, duke përfshirë këtu fatkeqësitë e shkaktuara nga njeriu.

Ky elasticitet në përdorim ka bërë që agjencitë e sigurisë publike të adoptojnë pager përpara celularëve dhe pajisjeve të tjera në rastet kur dërgohen mesazhe të rëndësisë së veçantë.

Shpërthimet masive të “pager” në Liban, 9 të vdekur dhe mbi 3 mijë të plagosur
9 persona u vranë dhe qindra vetë u plagosën, në periferitë e Bejrutit dhe në pjesë të tjera të Libanit, pasi u shpërthyen në dorë pajisjet celulare të komunikimit, sipas njoftimeve nga mediat dhe zyrtarë të sigurisë.

Ata po mbanin në duar ‘pagers’, pajisje të vogla komunikimi, të ndryshme nga telefonët celularë, që përdoren për dërgimin e mesazheve dhe sinjaleve.

Një zyrtar i lartë i zbulimit ushtarak dhe një zyrtar tjetër që kishte dijeni për ngjarjen, të cilët folën në kushte anonimiteti për agjencinë e lajmeve Associated Press, thanë se pajisjet ‘pagers’ që mbanin anëtarë të grupit Hezbollah shpërthyen. Zyrtari i dytë tha se besohet se bëhet fjalë për një sulm izraelit.

Agjencia Associated Press iu drejtua ushtrisë izraelite e cila refuzoi të komentonte.

Agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars, e cila është e afërt me Gardën e fuqishme Revolucionare të Iranit, tha në një postim në rrjetin Telegram, se Mojtaba Amani, ambasadori i Iranit në Liban, ka marrë plagë sipërfaqësore dhe është nën kujdes mjekësor në spital.

Në fotografi dhe video të marra në lagjet periferike në jug të Bejrutit, që po qarkullojnë në rrjetet sociale dhe në mediat lokale, duken njerëz të shtrirë në tokë me plagë në duar.

Udhëheqësi i Hezbollahut Hassan Nasrallah kishte paralajmëruar më parë pjesëtarët e grupit që të mos mbanin telefona celularë, pasi sipas tij mund të gjurmoheshin nga izraelitët, për të parë lëvizjet e tyre dhe për të ndërmarrë sulme.

Ministri i Shëndetësisë së Libanit u bëri thirrje të gjithë spitaleve të jenë në gjendje gatishmërie.

Fotografët e agjencisë së lajmeve Associated Press pranë spitaleve thanë se dhomat e urgjencës ishin të tejmbushura me pacientë, shumica e tyre me plagë në gjymtyrë, disa në gjendje të rëndë.

Agjencia shtetërore e lajmeve tha se spitalet në Libanin jugor, Luginën lindore Bekaa dhe periferitë jugore të Bejrutit, të gjitha zona ku Hezbollahu ka prani të fortë, kanë bërë thirrje për të dhuruar gjak.

Sipas kësaj agjencie, në këto zona, për shpërthimin e pajisjeve ‘pagers’ u përdor teknologji e avancuar dhe për pasojë mbeten të plagosur dhjetra vetë.

Një zyrtar i Hezbollahut, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se ishin plagosur së paku 150 vetë, përfshirë pjesëtarë të grupit.

“Armiku (Izraeli) është përgjegjës për këtë incident”, tha ai.

Sipas tij, pajisjet e reja ‘pagers’ që po mbanin anëtarët e Habollahut ishin me bateri me litium, të cilat mesa duket shpërthyen.

Bateritë e litiumit, kur mbinxehen, mund të nxjerrin tym, të shkrijnë apo edhe të marrin zjarr.

Bateritë e rikarikueshme të litiumit përdoren gjerësisht në kompjutera, telefona celularë dhe makina elektrike. Zjarri i shkaktuar nga djegja e tyre arrin temperatura të larta, deri në 590 gradë celsius.

Incidenti ndodh në një kohë që tensionet mes Libanit dhe Izraelit janë shtuar. Grupi militant libanez Hezbollah dhe forcat izraelite janë përleshur pothuajse çdo ditë që kur nisi lufta në Gazë, mes Izraelit dhe Hamasit, ky i fundit aleat i Hezbollahut.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb