Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, pas takimit kundër Partizanit të fituar 0-1 në “Selman Stërmasi” është shprehur shumë i lumtur për rezultatin. Duro i cili më parë ka drejtuar edhe “të kuqtë” e kryeqytetit pohoi se sekreti i këtij takimi ishte Lorenc Trashi.

“Nuk doja të isha unë protagonist i humbjes së Flamurtarit, por unë jam profesionist. Jam i kënaqur për fitoren ndaj një skuadre që pretendon titullin dhe që vinte me moral të lartë pas tri fitoreve. E kisha bindur skuadrën se mund të fitonim në Tiranë përballë Partizanit sepse ata (të kuqtë) asnjëherë nuk kanë bindur me futboll cilësor. Ishte një fitore shumë e rëndësishme kundër një rivali të rrezikshëm.

Fakti që unë e njoh Partizanin? Po i njoh me detaje “demat” dhe gjithë ndeshjen sot e kishim fokusuar te Trashi. U përpoqëm që të neutralizonim lojtarin e tyre më të mirë dhe mendoj se ia arritëm qëllimit. Ia bëra të qartë skuadrës së duhet të përqendroheshin te Trashi dhe Progni në të djathtë. Por lojtarët e bënë mirë detyrën.

Sulmi? Kemi shënuar gjithnjë. Kemi një ekuilibër të mirë në ekip dhe kjo është shumë pozitive. Sa i përket autorit të golit, po ju them se Ardit Hoxhaj është pjesë e skuadrës dhe ka vlera të mëdha. Gjithsesi unë kam një grup të mirë dhe ai është pjesë e një grupi të rëndësishëm. Sot e justifikoi plotësisht besimin tim sepse luajti mirë edhe përballë Prognit dhe Trashit.

A jemi ne pretendentë? Tensionin më të madh e kam pasur sezonin e kaluar sepse ishim për mbijetesë. Tani kanë ndryshuar gjërat dhe mendoj se do të ecim mirë. Falë edhe mbështetjes së Idrizit besoj se do të ecim mirë. Momentalisht nuk kemi objektiv, por të shohim, sepse oreksi vjen duke ngrënë…”, tha Duro në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb