TIRANE – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta konsideron se ka një keqkuptim midis qëllimit dhe mënyrës se si ka funksionuar formulimi, mbi nenin e propozuar për përcaktimin si vepër penale të shpifjes për shkak të detyrës, ndaj funksionarit të lartë shtetëror apo të zgjedhur. Në një deklaratë për mediat, Meta theksoi se do të ketë një reflektim për këtë çështje.

Z. Meta, ç’mendim keni për propozimin e fundit të qeverisë për dënim të shpifjes të zyrtarëve të lartë?
Jam në dijeni të këtij debati të iniciativës, besoj se ka një keqkuptim midis qëllimit të kësaj iniciative dhe të mënyrës se si ka funksionuar formulimi, kështu besoj se ky keqkuptim do të zgjidhet, do të ketë një reflektim.

LSI e ka përshëndetur dekriminalizimin e shpifjes në kohën e qeverisë Berisha?
Besoj që LSI mbështet çdo iniciativë për dekriminalizim apo jo. Jua thashë që kam përshtypjen që është keqkuptuar qëllimi me formulimin. Kështu që do ketë reflektim besoj.

PROPOZIMI
Ndryshe nga sa kishte rënë dakord dhe votuar 3 vjet e gjysmë më parë së bashku me maxhorancën e asaj kohe, Partinë Demokratike, për ta hequr nga Kodi Penal veprën e shpifjes kundër funksionarëve publikë, në Parlament ka shkuar ditë më parë një projektligji i ri për “Një shtesë në ligjin Nr.7895, datë 27.1.1995, ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar’ që është futur në kalendarin 3-javor të punimeve të Kuvendit.

Ishte qeveria “Berisha”, e cila bashkë me socialistët, atëherë në opozitë, vendosën që shpifja të ishte thjesht kundravajtje, por klima e nxehtë politike duket se çoi në marrjen e këtij vendimi nga kryeministri Rama.

RELACIONI
Në relacionin që i bashkëngjitet projektit vetëm me një nen thuhet se: “Ky projektligj vjen si propozim i kryeministrit. Arsyeja e propozimit të kësaj dispozite është ajo e penalizimit të cilitdo që, duke abuzuar me lirinë e shprehjes, përhap qëllimisht, me çfarëdolloj mjeti dhe mënyre, shpifje ndaj një zyrtari të lartë shtetëror apo të zgjedhur, të natyrës të tillë që i ngarkon këta të fundit me fakte që ligji penal i parashikon si vepra penale”. “Pështjellimi, që ‘denoncime’ të tilla shpifëse shkaktojnë në opinionin shoqëror, është i tillë që cenon maksimalisht dhe mbi të gjitha ndjenjën e sigurisë dhe të besimit që shteti nëpërmjet përfaqësuesve të tij më të lartë shtetërorë përçon dhe ka për detyrë të përçojë te qytetarët”, sqarohet në relacion.

Më tej sqarohet se: “Shfuqizimi i kësaj vepre penale, kur kanë kaluar pothuaj tre vjet, parë si i lidhur ngushtë me praktikën, rastet e rënda të ndodhjes së kësaj vepre dhe mungesës së ndëshkimit të plotë të saj, edhe në të vetmen rrugë ligjore atë civile, konfirmon qartë dhe pa asnjë dyshim se ky ishte një veprim jo thjesht i parakohshëm, por me një impakt tërësisht negativ, pasi ka nxitur në mënyrën më ekstreme shpifjen në emër të lirisë së shprehjes, shpifjen duke i atribuuar dikujt tjetër pa asnjë hezitim kryerjen e veprave nga më të rëndat penale, ndërkohë që dihet me siguri se faktet e prezumuara si të tilla janë tërësisht të pavërteta”.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: