Jo të gjitha shpikjet janë të barazvlefshme. Ndërkohë që valixhja me rrota ishte një ide shumë e mirë, ajo nuk e ndryshoi botën. Por shpikni një teknologji, e cila sjell rënie drastike të çmimeve të një inputi themelor ekonomik, dhe njerëzimi ndryshon rrënjësisht dhe shpejt. Një njeri i lindur 250 vjet më parë, erdhi në jetë në një botë që, teknologjikisht, nuk kishte ndryshuar shumë prej shekujsh. Por po të kish patur një jetë të gjatë, do të kish arritur të shihte një botë të re.

Për mijëvjeçarë të tërë, kish patur vetëm katër burime energjie, të gjitha të kushtueshme dhe të kufizuara: muskujt njerëzorë, muskujt e kafshëve, uji i lëvizshëm dhe ajri. Thomas Newcomen shpiku motorrin me avull në vitin 1712, por konsumi i lartë i lëndëve djegëse kufizoi shumë përdorueshmërinë e tij. Më pas, në vitin 1769, James Watt e përmirësoi dukshëm, duke e bërë motorrin katër herë më efiçient në konsum.

Motori me avull mund të fuqizohej pothuaj pa limit. Çmimi i energjisë filloi të ketë një rënie të fortë, që vazhdon sot e kësaj dite.
Ndërkohë që fabrikat nisën të vihen në punë prej avullit, çmimi i mallrave ra, duke ngritur në qiell kërkesën. Kur motorri me avull iu montua lokomotivave, transporti nga toka i njerëzve dhe makllrave u bë i lirë dhe i shpejtë, për herë të parë në histori. Andrew Jacksonit i duhej pothuaj një muaj për të shkuar nga Nashville, Tennessee deri në Washington, në kohën e inaugurimit të tij, në vitin 1829. Ndërkohë që në vitin 1860, ky udhëtim bëhej për dy ditë.

Transporti i shpejtë tokësor bëri të mundur tregjet kombëtare. Bizneset rrokën shansin dhe përfituan nga ekonomitë e shkallës, duke e rritur edhe më shumë kërkesën, teksa çmimet uleshin më tej. Rënia e kostos së kabllove dhe tubacioneve mundësoi mrekulli të tilla si, telegrafi, apo ndriçimi me gaz, që të bëheshin të disponueshme për njerëzit e zakonshëm. U krijuan pasuri të mëdha.

Epoka e dominuar nga energjia e lirë zgjati deri në mesin e shekullit 20. Avulli ishte zëvendësuar prej energjisë elektrike dhe motorri me djegie të brendshme, por dikush nga viti 1860 do ta kish njohur kryesisht teknologjinë e vitit 1960, sado mbresëlënës që ishte përmirësimi i saj. Pastaj, u shfaq një tjetër teknologji me aftësi të transformonte botën.

Përpara viteve 1940, fjala kompjuter u referohej njerëzve, kryesisht grave, që llogarisnin gjëra të tilla si trajektoret e predhave të artilerisë. Kompjuteri i parë i programueshëm, Eniac, u vu në punë në 10 dhjetor 1945. Ishte 66.6 metër kub, sa një autobus shkolle, me 20 mijë tuba vakuumi që thithnin 150 kiloëatt energji.

Por ai ishte 1000 herë më i shpejtë se cilado makinë llogaritëse elektromekanike dhe mund të llogariste pothuaj gjithçka. Tranzistorët zëvendësuan shumë shpejt tubat e vakuumit, duke reduktuar kështu dramatikisht, përmasën e kërkesave për energji të kompjuterëve. Por kishte sërish një problem të madh. Fuqia e një kompjuteri varet jo vetëm nga numri i tranzistorëve, por edhe nga numri i lidhjeve mes tyre. Dy tranzistorë kanë nevojë për vetëm një lidhje, gjashtë kërkojnë 15, e kështu me radhë.

Ndërkohë që tranzistorët mund të prodhoheshin, lidhjet duhej të bëheshin me dorë. Eniac kishte jo më pak se pesë milion lidhje të bëra me dorë. Deri kur “tirania e numrave” të mund të kapërcehej, kompjuterët, ashtu si motorri me avull i Newcomen, do të mbeteshin shumë të kushtueshëm, e si pasojë pak të përdorshëm.

Nëse çdo kompjuter në botë do të kish pushuar së punuari në vitin 1969, njeriu mesatar nuk do të kish vënë re ndonjë gjë që mungonte. Qytetërimi i sotëm do të pësonte kolaps brenda pak sekondave. Asgjë më komplekse se sa një laps nuk do të funksiononte, ndoshta as edhe furça e dhëmbëve.

Çfarë ndodhi? Në vitin 1969, u zhvilluar mikroproçesori – një kompjuter në një chip silikoni. Kjo gjë kapërceu tiraninë e numrave duke krijuar tranzistorët dhe lidhjet mes tyre njëkohësisht. Shumë shpejt, çmimi i depozitimit, marrjes dhe manipulimit të informacionit nisi një rënie të fortë, ashtu siç kish ndodhur me çmimin e energjisë dy shekuj më herët. Fuqia kompjuterike që kushtonte 1000 dollarë në vitet 1950, sot kushton më pak se një qindarkë.

Mikroproçesori i parë komercial – Intel 4004, i futur në treg në vitin 1971 – kishte 2250 tranzistorë. Sot, disa mikroproçesorë kanë një milion herë më shumë, gjë që i bën ata miliona herë më të fuqishëm, por vetëm pak më të kushtueshëm.

Mikroproçesorët nisën të shfaqen ngado. Makinat e sotme kanë me dhjetëra, duke kontrolluar gjithçka, nga injeksioni i karburantit deri tek paralajmërimi për të qëndruar në korsinë tënde.
Edhe paraja sot është kryesisht një kartë plastike, me një mikroproçesor të ndërfutur në të.

Ashtu si hekurudha ishte për motorrin me avull, Interneti është nënshpikja më e rëndësishme e mikroproçesorit. Ai revolucionarizoi tregtinë me pakicë, shpërndarjen e lajmeve, argëtimin, komunikimin dhe shumë më tepër.

Ashtu si energjia e lirë, informacioni i lirë ka krijuar pasuri të mëdha, duke e rritur shumë edhe pabarazinë në pasuri. Por po ashtu si energjia e lirë, burimi i këtyre pasurive i ka dhënë gjithësecilit një standart më të lartë jetese.

Për të kuptuar se sa i thellë ka qenë revolucioni i mikroproçesorit, mendoni pak këtë gjë: Shkrimtari i madh i shkencës, Arthur Clarke, dikur thoshte se çdo teknologji mjaftueshëm e përparuar është e padallueshme nga magjia. Një njeri nga gjysmë shekulli më parë, me siguri do ta kish parë si diçka të sferës së magjisë, smartphone-n që sot është i kudondodhur.

* Gordon është autor i “Një perandori e pasurisë: Historia epike e fuqisë ekonomike amerikane”/ The Wall Street Journal – Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb