Shpopullimi është kthyer në një fenomen shqetësues, jo vetëm në Berat por në të gjithë Shqipërinë. Ky është fshati Perondi në qytetin e Kuçovës, që nga dita në ditë po boshatiset. Edhe pse ndodhet vetëm 8 km nga qendra e qytetit dhe zë rreth 34 përqind të popullsisë së qytetit të Kuçovës, panorama që shpaloset në rrugët e tij është e frikshme.

Rrugë të boshatisura, biznese të falimentuara apo shtëpi të braktisura e të kyçura, kjo është panorama e parë që sheh sapo futesh në qëndër të fshatit Perondi. Gazetarja Eneida Petova raporton për Balkanweb se siç shprehen edhe vetë banorët, fshati Perondi ka humbur gjallërinë e dikurshme, parqet që dikur gumëzhinin nga zërat e fëmijëve sot janë bosh pasi shumica e banorëve të fshatit kanë emigruar jashtë vendit, por edhe kanë zgjedhur të migrojnë drejt qyteteve të tjera. Banorët tregojnë se shumica e të rinjve kanë zgjedhur të largohen e të braktisin fshatin, për shkak të papunësisë së lartë.

“Familje të tëra kanë emigruar, shumë pak familje kanë mbetur në fshat, shumica e shtëpive janë bosh. Varfëri e madhe, s’ka ku vete më keq, me pensionet janë në zero, fshatari po vuan, prodhimi nuk shkon. Shpopullimi është i lartë pasi mungon punësimi, mungon mirëqënia. Këtu s’ka asnjë të ardhme, s’ka asnjë shpresë për të rinjtë, që kushtet i kanë detyruar të largohen për të siguruar të ardhmen”-, shprehen banorët e fshatit Perondi.

Ata pohojnë se mënyra e vetme për të siguruar jetesën për ta mbetet bujqësia, por as ajo nuk mjafton për një jetesë të mirë, pasi shumë nga produktet që ata kultivojnë nuk gjejnë treg për shitje. Banorët pohojnë se çmimet e larta që duhet të paguajnë për mbjelljen e tokave bujqësore, duke qenë të papërballueshme, në disa raste i kanë detyruar t’i lënë tokat djerrë.

Kuçova mbetet një nga qytetet më të prekura nga fenomeni i shpopullimit në qarkun e Beratit, fenomen ky mjaft i dukshëm në pjesën më të madhe të zonave rurale. Sipas statistikave të nxjerra nga censusi i vitit 2023, në qytetin e naftëtarëve jetonin rreth 30 mijë persona, 22% më pak se në vitin 2001.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: