Kombëtarja e 21-vjeçarëve të Shqipërisë pësoi një humbje tenistike 6-1 përballë Portugalisë, në eliminatoret e “Euro 2017”. Nën-kampionët e Europës, fituan me lehtësi ndaj Shpresës, që me pesë ndryshimet e trajnerit Jupi nga sfida e fundit me Izraelin rezistoi vetëm 31 minuta, duke mos justifikuar asgjë, përpara se luzitanët të fillonin festivalin e golave, me një goditje nga distanca të Ruben Nevesit. Nëse goli i parë ishte një finalizim individual, i dyti ishte pasojë e lojës kolektive të portugezëve, me Bruman që shërbeu pasimin e fundit për Markos Lopesin që realizoi golin e dytë. Përpara pushimit, Andre Silva realizoi dhe dy herë të tjera duke hipotekuar fitoren e parë në ndeshjen e parë në grup për portugezët. Dhe në pjesën e dytë, diferencat mes Portugalisë dhe Shqipërisë ishin të dukshme, me portugezët që shënuan dhe dy herë të tjera me Fernandes dhe Hortan. E vetmja notë pozitive e Shqipërisë ishte goli i realizuar nga Rashica, në të 83-tën, që gjithsesi nuk e zbuti aspak disfatën e Kombëtares së 21-vjeçarëve, dhe pse diferencat mes dy skuadrave diheshin që përpara zhvillimit të sfidës.

(d.d/j.s/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb